Pandemia në këtë shtet, mbi 200 mijë viktima

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

India prek nivele rekord të përhapjes së Covid-19. Në 24 orët e fundit janë raportuar 360 mijë raste, teksa tragjik paraqitet të jetë bilanci i viktimave: që prej nisjes së pandemisë kanë humbur jetën mbi 200 mijë persona në këtë shtet.

Banorët në Delhi janë mbërthyer nga frika dhe ankthi mes mungesës së theksuar të oksigjenit, pajisjeve mjekësore dhe stafit në spitale.

“Nuk po marrim as trupat e të dashurve tanë. Në spitale nuk ka oksigjen dhe shtretër. Njerëzit po vdesin në ambulanca pa mbërritur në spitale”, u shpreh një banor.

 “Situata është shumë e tmerrshme, me aq sa shoh unë. Të gjithë kanë frikë. Njerëzit kur flasin me një person, e konsiderojnë si të ishte hera e fundit, pasi ndoshta të nesërmën nuk do e shikojnë më”, shton një tjetër.

Problematike është situata edhe në qendrat e vaksinimit anti-covid në Indi. Shumë prej tyre nuk kanë doza, ndërsa njerëzit lihen në pritje.

“Po na thonë se nuk ka vaksina, pasi nuk kanë ardhur akoma. Duhej ta merrje tre ditë më parë, por ende jam në pritje”, shprehet një banor në Mumbai.

Përkeqësimi i situatës epidemiologjike në Indi erdhi për shkak të variantit të ri që nisi nga ky shtet. Për të shtatën ditë radhazi, raportoi mbi 300 mijë raste, ndërsa bilanci në total është rreth 18 milionë të infektuar me koronavirus.

Të ngjashme