Paralajmërimet absurde të BQK-së për ngritje të reja të kamatave kreditore

Prishtinë | 05 Gus 2022 | 20:09 | Nga Mehmet Gjata

BQK-ja, në vazhdimësi u tregua “e shurdhër” ndaj kërkesave permanente të klientelës dhe të asociacioneve ndërkombëtare bankare për të ulur dhe për të barazuar pak a shumë interesat bankare me vende të tjera, dhe me kokëfortësi mbajti normat e interesit për të gjitha llojet e kredive, më të lartat në Europë. Tani, pas paralajmërimit të BQE-së për ngritje të normave kreditore të interesit, BQK-ja ka ngarendur për të paralajmëruar ngritjet të shpejta të kamatave kreditore, edhe deri tash tepër të larta, për kredimarrësit e varfër kosovarë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për vite të tëra, ose më konkretisht tani e 23 vjet, qëkur ka nisur të ndërtohet sistemi bankar i vendit, as që ka denjuar edhe në një rast të vetëm të barazojë kamatat, kuotat e interesit për të gjitha llojet e kredive, me ato të bankave të shteteve të mbarë Europës, kupolë e të cilave në njëfarë mënyre është Banka Qendrore e Europës. Jo vetëm që nuk i përafroi kamatat me ato të bankave europiane, por me kokfortësi për dhjetëra vjetë i mbajti në nivelin më të lartë të mundshëm në të gjitha bankat komerciale të vendit.

Në vitet e para të pasluftës, bankat në Kosovë patën aplikuar kamata në kredi edhe deri në 24-25 për qind, pastaj 15-16 e më shumë për qind ishte kuota e kamatës për dhjetëra vjetë në bankat komerciale të Kosovës, ndërsa edhe kur u ulën paksa para 3-4 vjetësh, ato prap mbetën ndjeshëm më të lartat në Europë. Dhe, BQK-ja, në vazhdimësi u tregua “e shurdhër” ndaj kërkesave permanente të klientelës dhe të asociacioneve ndërkombëtare bankare për të ulur interesat bankare. Ndërsa, bankat në Kosovë, këto 11 komercialet pra, vetëm këto i kemi, por edhe institucionet e ashtuquajtura mikrofinanciare, ose figurativisht siç vazhdojnë të quhen nga klientela ‘fajdexhinjtë legalë në Kosovë”, të përkrahura heshtazi, por edhe publikisht nga BQK-ja, gjithnjë e bënë ligjin vet: Sa deshtën dhe kur deshtën i përcaktuan interesat bankare për të gjitha llojet e kredidhënies dhe i ngritin çmimet e shërbimeve bankare sipas “qejfit” të tyre.

Nuk pyetën pra, askënd e asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm, as për kamatat enorme të larta as për çmimet e reja të ngritura vazhdimisht të shërbimeve bankare. Dhe gjithnjë këto interesa të larta i arsyetuan me gjoja “të riskut të lartë që po mbretëruaka në Kosovë”, sado që rrisku “imagjinar”, i shpikur dhe i promovuar zëshëm nga bankat komerciale dhe BQK-ja, as që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë.

Buletini Ekonomik me të dhëna konkrete dhe me fakte të pakontestueshme ka dëshmuar publikisht se kurrë nuk ka qëndruar arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, se gjoja risku i lartë në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i gjithë këtyre kamatave dhe çmimeve kaq të larta të produkteve bankare. Nuk ka qëndruar, praktikisht, asnjëherë të vetme ky arsyetim edhe për faktin se në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar në gjithë këto vite. Ose, në këtë periudhë, rastet e vjedhjeve ordinere ose të ndonjë veprimi që do të shkaktonte pasiguri të sistemit bankar, siç dihet, në vendin tonë kanë qenë tepër të rralla.

Ndërkohë, po në atë periudhë anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kishte X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të vetë guvernatorit të BQK-së, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare bankare. Pikërisht për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në ato rrethana (shumë pak vite pasluftës) ishte fare e sigurtë është ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Këto janë faktet.

Fakt, pokështu janë edhe fitimet kolosale të bankave komerciale të Kosovës në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore), të cilat janë vetëm rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë, të institucioneve mikrofinanciare.

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, siç dihet publikisht, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të lartat në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit.

Kosova është kampione absolute për çmimet e shërbimeve dhe për lartësinë e kamatave të kredive të të gjitha llojeve. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi në muajin janar ka qenë 5.66%; në muajin shkurt 5.9%; në muajin mars 5.80%; në muajin prill 5.77% dhe në muajin maj 5.82%. Ky nivel kamatash, është ndjeshëm mbi mesatarën e kamatave të bankave europiane.

Ndërkohë, qytetarët e Kosovës vetëm brenda pesë muajve të parë të këtij viti kanë marrë “borxh” në banka mbi 816 milionë euro. Kurse, gjatë tërë vitit të kaluar janë dhënë 1.8 miliardë euro kredi të reja. Në total, llogaritet se kosovarët kanë mbi 3.7 miliardë euro kredi. Nga këto, 1 miliard e 384 milionë euro janë kredi të dhëna për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 299 milionë euro për korporatat jo-financiare dhe 6 milionë e 800 mijë euro për korporatat e tjera financiare.

Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi është 5.6 për qind. Për ekonomitë familjare kjo normë është 6 për qind, prej të cilave konsumuese 6.4% dhe hipotekare 4.8%. Ndërsa, për korporata jo-financiare është 5.4 për qind, prej të cilave 4.4%, industriale, 5.7% dhe shërbyese 5.2%.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, janë 11 banka, ku 9 prej tyre janë në pronësi të huaj.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Buletini Ekonomik)

Të ngjashme