Partitë politike të ndara nëse tash duhet të nisë reforma zgjedhore

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 07:11 | Nga

Përfaqësues të partive politike në vend nuk kanë folur me një gojë nëse duhet t’i jepet prioritet reformës zgjedhore apo të shkohet në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Koha Ditore.

Partitë në pushtet preferojnë të parën, e ato në opozitë duan të rrëzohet Qeveria, për t’i hapur rrugë kutive të votimit. Në tryezën e organizuar nga Organizata “Demokracia për Veprim” (D4D) me temën “Reforma zgjedhore e papërfunduar: çfarë më tutje?”, janë trajtuar shumë të meta që deri tash e kanë përcjellë procesin zgjedhor.

Listat e papastruara nga personat e vdekur, pastaj skena politike me persona të kriminalizuar, vështirësitë e diasporës për të votuar, zonat zgjedhore, etj., kanë qenë disa nga çështjet e ngritura nga panelistët e kësaj tryeze.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se çështja më e keqpërdorur në Kosovë është reforma zgjedhore. Pas zgjedhjeve të vitit 2010, ajo ka thënë se ishin formuar dy komisione për t’u marrë me këtë çështje. Por, sipas saj, ato nuk kishin për qëllim adresimin e problemeve, por zgjatjen e mandatit të asaj qeverie. Zgjedhjet e fundit, ka shtuar Haxhiu, kanë dëshmuar që me gjithë problemet që i ka Ligji për zgjedhje, nuk është defekti kryesor aty, por shkelja e tij nga subjektet politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme