Pas samitit Biden – Putin, ShBA-ja e Rusia nisin bisedimet bërthamore

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë i nisën të mërkurën në Gjenevë bisedimet për stabilitet strategjik bërthamor. Dy fuqitë botërore po synojnë që të merren vesh për pakësimin e arsenalit të tyre bërthamor.

Nënsekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, është duke e udhëhequr delegacionin amerikan në këto bisedime, ndërsa ekipit rus po i prin zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov. Bisedimet do të zgjasin vetëm një ditë.

I ashtuquajturi dialog për stabilitet strategjik u planifikua muajin e kaluar, gjatë samitit mes presidentëve Joe Biden të ShBA-së dhe Vladimir Putin të Rusisë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Agjenda e saktë e bisedimeve nuk është publikuar, por raportimet e medieve thonë se palët do të përqendrohen në çështjet e stabilitetit strategjik, siç janë hapat përtej traktatit “New START”, për të cilin Bideni dhe Putini janë pajtuar t’ia zgjasin afatin e vlefshmërisë përtej vitit 2026.

Ky traktat për herë të parë kishte hyrë në fuqi në vitin 2011. Me këtë marrëveshje kufizohen: numri i kokave bërthamore në gjendje gatishmëri në 1.550, numri i sistemeve të gatshme strategjike të shpërndarjes në 700. Për më tepër, me marrëveshje caktohen edhe rregullat e vërtetimit të gjendjes në terren.

Raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, edhe ashtu të ftohta, janë tensionuar edhe më tej me ardhjen në pushtet të presidentit Joe Biden. ShBA-ja i ka vënë sanksione Rusisë rreth sulmeve kibernetike, ndërhyrjes në zgjedhje dhe helmimit e burgosjes së opozitarit rus, Aleksei Navalny.

Megjithatë, të dyja vendet kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar rreth disa çështjeve për të cilat kanë qëndrime të përafërta dhe interes të përbashkët, siç janë ndryshimet klimatike dhe kontrollimi i armëve.

Të ngjashme