PD prezanton planin për energjinë, Basha: Ulim faturat për 70% të bizneseve

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Shqipërisë ka prezantuar programin për energjinë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka premtuar ulje të çmimit të naftës dhe të energjisë elektrike.

Sipas Bashës, fatura e energjisë elektrike do të ulet për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.

Po ashtu kreu i opozitës ka premtuar dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. “Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë”, shtoi më tej kreu i PD.

Po ashtu dhe për biznesit fatura e energjisë do të jetë me e ulët, dhe sipas Bashës do të zhduken nga qarkullimi gjeneratorët, duke mundësua energji të pandërprerë. Një tjetër pikë e prezantuar nga Basha ishte dhe bashkimi i tregut të energjisë me Kosovën.

“Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut”, tha lideri i opozitës.

Po ashtu Basha tha se do të nxitet dhe prodhimi i energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit”, ishte një tjetër pikë e theksuar nga Basha.

Kreu i PD tha se “kemi marrë angazhimin e institucioneve prestigjioze që kanë punuar krah për krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme të problemit të përmbytjeve në veçanti dhe erozionit dhe ndotjes në tërësi”.

Të ngjashme