Një prej njerëzve më të lumtur për zgjedhjen e Përparim Ramës kryetar të Prishtinës, padyshim që ishte Shpend Ahmeti. Ai me ditë të tëra nuk e frenonte fare lumturinë e tij dhe ndjehej tepër i çliruar.
I lumtur dukej edhe ish-miku i tij, Dardan Sejdiu, që dikur ishte edhe nënkryetar i Prishtinës, i cili i kishte prishur paksa punët me Ahmetin dhe ishte larguar nga qeverisja e kryeqytetit.
Sejdiu, i cili ishte kritik i madh i ish-liderëve të PDK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ishte afruar më pas me një grup brenda PDK-së së Prishtinës, të cilin e kishte përkrahur edhe në zgjedhjet e fundit lokale, por që nuk i ishte bashkuar zyrtarisht këtij subjekti politik.
Megjithatë, tani pas hyrjes në bashkëqeverisje të PDK-së me LDK-në në kryeqytet, lidershipi i ri i PDK-së së Prishtinës duke i shpërfillur të rinjtë e Prishtinës që me vite të tëra kanë dhënë kontribut si pjesë e PDK-së, mësohet se po këmbëngulin që Dardan Sejdiu të bëhet nënkryetar i Prishtinës si i propozuar i tyre.
Demokracia.com ka mësuar së këtij propozimi i ka dalë kundër pothuajse e gjithë dega, duke përjashtuar 5-6 persona, shumica e të cilëve janë pjesë e listës së propozuar për drejtorë.
Mirëpo, pikërisht kjo degë e PDK-së, në vitin 2017 e kishte akuzuar publikisht Sejdiun si pjesë të rrjetit të dallavereve me leje ndërtimore në Prishtinë. Po ashtu, kjo degë kishte deponuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për punësime të kundërligjshme të rreth 500 personave, shumica asokohe aktivistë të Vetëvendosjes, nga qeverisja e Ahmetit dhe Sejdiut.
“Për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Krim i Organizuar nga neni 283, paragrafi 1, lidhur me nenin 422, paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të KPRK-së, ku me dashje direkte dhe me vetëdije, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të grupit të organizuar kanë krijuar favore për persona të caktuar në kundërshtim me nenin 12, paragrafin 4 të Ligjit për Shërbyesit Civil nr. 03-L149, duke mos zbatuar procedurën e rekrutimit – konkursin publik kanë bërë punësime të kundërligjshme. Në vitin 2015 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 276 personave dhe në vitin 2016 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 210 personave. Gjatë kësaj periudhe, duke kryer vepra penale, kanë bërë punësimin e gjithsej 486 personave”, thuhet në kallëzimin penal të PDK-së së Prishtinës, përcjell Demokracia.com.
Nga këto veprime të kundërligjshme, sipas raporteve zyrtare të auditimit, dega e PDK-së në Prishtinë kishte pretenduar se dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës ishte rreth dy milionë e treqind mijë euro.
E para se të depononte kallëzim penal kundër qeverisjes së Ahmetit dhe Sejdiut, dega e PDK-së së Prishtinës kishte organizuar dhjetëra konferenca rreth 3 muaj me radhë, ku ua kishte nxjerrë në pah disa keqpërdorime.
Madje, ndërlidhjen e rrjetit të dallavereve me leje ndërtimore, siç pretendonte dega e PDK-së së Prishtinës, asokohe edhe i ilustronin.
Demokracia.com sjell disa prej ndërlidhjeve që kjo degë ia kishte bërë qeverisjes së Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut në komunën e Prishtinës: