Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk planifikon t’u bëjë ofertë bashkëpunimi kandidatëve dhe subjekteve që humbën zgjedhjet në Drenas.
PDK-ja në balotazhin e Drenasit ku kandidati i saj Ramiz Lladrovci do të garojë kundër Isa Xhemajlajt të Nismës do të shkojë vetëm dhe pa bashkëpunim me të tjerët.
“Kurrkujt s’i kemi bërë kurrfarë oferte. Vetë shkojmë. Vetë i kemi gati 20 për qind ma shumë. Është çështje e tyre kah orientohen,” tha sekretari i PDK-së Basri Musmurati për KALLXO.com.
Bashkëpunimet e mundshme nuk i bëri publike as Nisma për Kosovën, edhe pse ky subjekt është i interesuar të marrë mbështetjen e atyre që garuan krahas LLadrovcit e Xhemajlajt.
“Kryetari Limaj së bashku me kandidatin Isa Xhemajlaj kanë autoritetin e plotë që të bisedojnë me partitë të cilat kanë marrë votat për ndryshim, që të ndërtojnë një plan të përbashkët që vullnetin e qytetarëve të Drenasit për ndryshim ta çojnë deri në fund. Besoj që ditëve në vijim do të bëhen publike marrëveshjet eventuale,” tha sekretari i Nismës për Kosovën Billal Sherifi.
Këtë të diel të pakënaqurit e PDK-së që e krijuan Nismën për Kosovën e kanë çuar për herë të parë Komunën e Drenasit në balotazh zgjedhor.
Në këtë komunë deri tash gjithnjë ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve kandidati i PDK-së, por këtë herë Ramiz Lladrovci më 4 dhjetor mori rreth 44 për qind të votave të atyre që kryen këtë obligim qytetar.
Sekretari i PDK-së Basri Musmurati e pranon që kjo parti mori më pak vota, por beson në fitore.
“Unë jam i bindur që kemi me fitu, qysh i kemi fitu edhe tash. Është e vërtetë që kemi rënë me vota e më përqindje. Është situatë e re, është krejt normale, por në balotazh, mobilizohen ma shumë njerëzit dhe zakonisht në balotazh kandidatët marrin më shumë vota sesa që ka fitu në raundin e parë,” tha Musmurati.
Me 18 dhjetor qytetarët e Drenasit do t’u kthehen edhe njëherë kutive të votimit për të zgjedhur të parin e komunës së tyre për afro 10 muaj deri sa të mbahen zgjedhjet lokale në të gjitha komunat.
Isa Xhemajlaj nga Nisma dhe Ramiz Lladrovci nga PDK-ja, do të jenë emrat e vetëm në fletëvotimet e 18 dhjetorit.