Dega e PDK-së në Ferizaj thekson se ka pranuar nga një qytetar anonim një informacion, sipas të cilit Inspektorët shëndetësorë dhe krimet ekonomike, në një inspektim të tyrin, kanë hasur në një skandal të madh brenda hapësirave të QKMF-së së Ferizajt.
Sipas PDK-së në Ferizaj, bëhet fjalë për gjetjen e një stoku të konsiderueshëm të barnave ilegale dhe të dyshimta pa banderolë, me banderolë, apo edhe me banderolë të shtetit serb, brenda hapësirave të këtij institucioni, përkatësisht në depon farmaceutike të QKMF-së dhe të cilat nuk kishin asnjë dokument përcjellës të pranim dorëzimit, si dhe nuk ishin të evidentuara në asnjë regjistër të QKMF-së.
“Duke e konsideruar këtë skandal si të pa shembull dhe plotësisht të pa pranueshëm, dega e PDK-së në Ferizaj shpreson në zbardhjen e plotë të këtij rasti nga organet kompetente. Njëkohësisht ne shpresojmë që Kryetari i Ferizajt do tu sqarojë qytetarëve se çfarë po ndodhë në QKMF? Bëhet fjalë për krim të organizuar nga zyrtarët e zgjedhur, apo pushteti po bën biznes të pisët me jetën e qytetarëve të komunës sonë?! Dikush sigurisht se duhet të japë llogari”, thuhet në reagimin e PDK-së në Ferizaj.