Përfundon kontrollimi, a ka rrezik nga Çernobili?

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Nivelet e rrezatimit në një pjesë të zonës së Çernobilit, ku Ukraina ka thënë se trupat ruse hapën gropa në tokën shumë të kontaminuar janë të ngritura, por ende brenda kufijve të sigurt, tha të enjten shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së (IAEA).

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, udhëtoi për në Çernobil këtë javë me stafin e IAEA-s për të sjellë pajisje dhe për të kontrolluar nivelet e rrezatimit në vendin ku përfshihen objektet e mbetjeve radioaktive pranë termocentralit tashmë jofunksional që në 1986 pësoi fatkeqësinë më të keqe bërthamore në botë.

Trupat ruse pushtuan Çornobilin menjëherë pasi pushtuan Ukrainën në shkurt dhe u larguan në fillim të prillit.

“Ka pasur një rritje (në nivelet e rrezatimit), por kjo rritje është ende dukshëm nën nivelet e autorizuara për punëtorët në një mjedis me këtë lloj rrezatimi,” tha Grossi në një konferencë shtypi.

Grossi nuk e përshkroi më në detaje punën e gërmimit pranë të ashtuquajturit Pyllit të Kuq shumë i kontaminuar, por tha se ndoshta ishte puna e trupave ruse që pushtuan Çornobilin.

Stafi i IAEA-s mati të mërkurën një nivel rrezatimi që doli nën kufirin prej 20 që konsiderohet i sigurt për punëtorët në zonat e ekspozuara ndaj rrezatimit, sipas një prezantimi të treguar në konferencën për shtyp.

I pyetur nëse kjo do të thoshte se ishte e sigurt për të gërmuar apo kaluar kohë në ato gërmime, Grossi tha: “Unë do të thosha se nuk ishte një gjë e mirë (për t’i gërmuar ato). Nuk do t’i rekomandoja askujt që të fillonte të gërmonte një vend që njihet se i është nënshtruar dozave të larta të rrezatimit. Aty ka rrezik”./REL/

Të ngjashme