Përkrahësit e çetnikëve në Bosnje bëjnë thirrje për gjakderdhje: Do të ketë ferr

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Rreth 200 ultra-nacionalistë të Lëvizjes Paraushtarake Çetnike Serbe janë mbledhur në qytetin lindor të Bosnjës, Vishegrad, për të përkujtuar arrestimin e themeluesit Draza Mihailoviq.

Ky tubim ka ngritur alarm midis banorëve, si dhe zyrtarëve vendas dhe ndërkombëtarë , njofton Klan Kosova.

Mihailoviq ishte një gjeneral serb në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili krijoi detashmentin e çetnikëve, shumica e të cilëve bashkëpunuan me forcat naziste.

Pas luftës, ai u dënua për tradhti të lartë dhe krime lufte. Për këto arsye, Mihailoviq u ekzekutua në vitin 1946 në Beograd.

Megjithatë, në vitin 2015, ai u rehabilitua nga një gjykatë e Beogradit, e cila vendosi që gjykimi i mëparshëm ishte i motivuar politikisht dhe ideologjikisht, shkruan Al Jazeera.

Serbët që dolën në këtë tubim ishin të veshur me uniforma dhe këndonin këngë të tilla si “do të ketë ferr, Drina (lumi që ndan Bosnjen me Serbinë) do të përgjaket, këtu do të vijnë nga malet serbe”, provokuan frikë midis banorëve boshnjakë që mbijetuan disa nga mizoritë më të këqija të kryera nga çetnikët.

Gjatë luftës në Bosnjë në fillim të viteve 1990, forcat serbe që identifikuan me lëvizjen çetnike vranë rreth 3,000 civilë boshnjakë në Vishegrad, pasi ata pretendonin të merrnin zonën për një Serbi të Madhe.

Ndërkaq, pas tubimit pati shumë reagime që dënuan ashpër thirrjet e tyre ultra-nacionaliste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme