Përleshje në Hong Kong në përvjetorin e dorëzimit të tij te Kina

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Policia në Hong Kong u përlesh me protestuesit në përvjetorin e kthimit të ish-kolonisë britanike nën sundimin e Kinës.

Ceremonia e ngritjes së flamurit u zhvillua nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit që bllokuan një rrugë pranë.

Udhëheqësit e Hong Kongut dhe mysafirët në ceremoni e përcollën nga brenda ngjarjen dhe jo nga jashtë, siç bëjnë zakonisht.

Qeveria, megjithatë, tha se vendimi për të zhvendosur audiencën u mor për shkak të kushteve të motit.

Pasdite, qindra protestues po ashtu bënë përpjekje për të hyrë në legjislaturën e Hong Kongut, ndërsa policia përdori sprej djegës për t’i shpërndarë ata.

Në javët e fundit janë zhvilluar protesta masive në Hong Kong, për shkak të një ligji që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Qeveria e ka pezulluar ligjin e propozuar për kohë të pacaktuar, por protestat vazhdojnë ende.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës që nga viti 1997, nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme” që i garanton një nivel autonomie.

Ceremoni për të shënuar dorëzimin britanik mbahen çdo vit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme