Pesë ditë fushatë, 30 ankesa

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 15:11 | Nga

32 është numri i ankesave të cilat i janë drejtuar për shqyrtim Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Kryetari i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, tregon për Radio Kosovën se numri më i madh i ankesave është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Deskut, ankesat janë bërë kryesisht për shkelje të kodit të mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Kanë filluar ankesat e para në drejtim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Kryetari i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, tha për Radio Kosovën se për pesë ditët e para të fushatës zgjedhore në PZAP janë parashtruar një numër i madh i ankesave, të cilat po shqyrtohen.

“Deri dje në ora 19-të , PZAP ka pranuar gjithsej 32 ankesa. Prej tyre 14 janë aprovuar. 4 janë refuzuar. Ndërsa 14 janë në procedurë të shqyrtimit dhe për to do të vendoset brenda afatit ligjor”, tha ai.

Sipas Deskut, natyra e ankesave të parashtruara në PZAP, ka të bëjë me shkelje të kodit të mirësjelljes nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. Deri më tani si subjekt politik, Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që ka bërë ankesa në PZAP për shkelje të kodit zgjedhor.

“Prej 32 ankesave vetëm dy ankesa janë parashtruar nga një subjekt dhe një OJQ, ndërsa 30 ankesa janë parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe KDIU-ja apo Instituti Demokratik i Kosovës. Natyra e ankesave ka të bëjë kryesisht me thyerjen e kodit të mirësjelljes gjatë bërjes së fushatës zgjedhore të subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre”, tha Desku.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka filluar para gjashtë ditësh dhe do të zgjasë një muaj. Partitë politike fushatën do e përmbyllin më 20 tetor. 21 tetori do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa me 22 tetor do mbahen zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme