Plagosi me armë 22-vjeçarin dhe i vodhi makinën, arrestohet 47-vjeçari në Rinas

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari dhe vjedhjen e automjetit të tij është arrestuar në Rinas. Policia njofton se ai u kap në tentativë për të dalë jashtë Shqipërisë.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në korrik, në fshatin Sanxhak, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Gjykata e Lezhës i kishte caktuar 47-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për plagosje të rëndë me dashje, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i Policisë Lezhë

Plagosi me armë zjarri, një 22-vjeçar 3 muaj më parë, në Sanxhak, dhe i vodhi automjetin, kapet në tentativë për të dalë jashtë shtetit, 47-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit operacional dhe informativ, ndërmjet specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, me shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Rinas, u ndalua në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi në kërkim, K. N., 47 vjeç, banues në fshatin Sanxhak.

Në muajin gusht të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar 47-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi K. N. akuzohet se në muajin korrik, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin V. P., 22 vjeç, të cilit edhe i ka vjedhur automjetin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme