Policia apelon për kujdes në përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët: Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën

Prishtinë | 08 Dhj 2024 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka theksuar se është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve. Nga Policia sot kanë adresuar një apel për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë, raporton Ekonomia Online.

“Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe  sigurinë e fëmijëve andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok, e cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve. Kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave  që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme. Policia e Kosovës, kërkon mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që mund të sjellë angazhimi i pjesëmarrjes në këto  sfida”, thuhet në apel.

Policia kërkon nga prindërit që të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e  rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në  identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e
përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme.

“Policia e Kosovës është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim
të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i
vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative”, thuhet në njoftim.

“Super heronjtë nuk janë të vërtet kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën”, është mesazhi i Policisë së Kosovës për të fëmijët.

Të ngjashme