Politikat industriale të gjelbra në fokus, prezantohen planet për energjinë dhe bizneset

Prishtinë | 17 Qer 2026 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Politikat industriale të gjelbra ishin temë diskutimi në panelin që u organizua nga Instituti GAP me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe atë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari-Lila, raporton Ekonomia Online.

Ky panel u mbajt pasi ky institut prezantoi raportin “Politikat Industriale të Gjelbra: Analizë e Kontekstit të Kosovës”.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar për projektet lidhur me sektorin energjetik të cilat janë të planifikuara.

“Për stadin ku janë projektet, dua të shtoj që ankandi solar nuk ka përfunduar ndërtimi, se ka filluar puna ndërtimore me 2 qershor, megjithëse është diçka që nuk është publikuar shumë. Edhe gjithashtu në KEK e kemi në fazë të prokurimit, pak procedurë prej 100 ose më shumë, do të thotë jetë më shumë, duke qenë se në kohën kur është planifikuar projekti ka qenë buxheti më i madh se ka qenë kostoja më e madhe e ndërtimeve. Edhe është mbrojtja që bëhet me solar në Prishtinë, që është gjithashtu në fazë të prokurimit. Tek ankandi i erës, sigurisht është më sfidues, duke i marrë parasysh edhe teknologjinë, edhe këtë formatin. Mirëpo nga ana tjetër jam e bindur se jemi në pikë të sigurt, duke qenë se në të dy rastet, edhe në ankandin solar edhe në ankandin e erës janë të parët. Dhe me këto ankande ka filluar, nuk është bërë veç një ankand, është vendosur komplet baza ligjore dhe rregullative. Dhe veçanërisht e ankandit të erës jemi siguruar që shumë elemente siç janë kërkesat në metodologji e të tjera, nuk janë vendosur në kontratë, mirëpo janë vendosur në bazën rregullative që është bërë prej KOSTT-it dhe miratuar prej ZRRE-së, që do të thotë që tashmë korniza ligjore dhe rregullative është shumë më e qartë dhe është vendosur një rrugë, e cila pastaj shumë më lehtë ndiqet në procedurat e radhës”, tha Rizvanolli.

Duke folur për projektet ajo tha se prioritetet kryesore kanë qenë transparenca dhe konkurrenca.

“Transparenca dhe konkurenca kanë qenë absolutisht prioritete, edhe kjo është një faktor tjetër që nganjëherë i ngadalëson në këtë mënyrë kushtet dhe procedurat, mirëpo unë besoj që prapë kjo është e vetmja mënyrë për të sjellë projekte të qëndrueshme dhe për të sjellë procedura dhe mësime modele standarde, që janë pastaj të qëndrueshme dhe që sjellin edhe konkurencë edhe konkurencë fair, edhe që janë më të mira, por edhe që sigurohemi në fund që nuk përfundojnë me qoftë vendime të gabueshme, kontrata të gabueshme ose investitorë të gabueshëm që nuk janë në gjendje t’i realizojnë projektet”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila tha se me strategjitë që janë duke punuar si Qeveri synohet që bizneset të jenë proaktiv në tranzicionin e gjelbër.

“Strategjia industriale parasheh mekanizmin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të bizneseve përmes infrastrukturës industriale, tashmë edhe me komponentën e gjelbër, por gjithashtu edhe me skemën e granteve të cilat bashkë me Ministrinë e Ekonomisë i kemi bashkëfinancuar për rritje të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të energjisë së rëndësishme. Duke u bazuar edhe në prezantimet që i dëgjuam së bashku, është vërejtur edhe një mungesë informacioni dhe natyrisht edhe agjilitetit të bizneseve në aplikim. Skema e granteve e cila është lansuar, do të thotë me bashkëpunim edhe me Qeverinë e Luksemburgut prej 1 milion euro, ka arritur vetëm 25% e saj të jetë e zotuar sipas aplikimeve të pakta. Por kjo është arsyeja pse ne do ta ri-lansojmë deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që t’u ofrojmë bizneseve rritje të kapaciteteve qoftë të eficiencës përkatëse apo rritje të eficiencës brenda hapësirave të prodhimit.

Ajo çka ne po synojmë nuk ka të bëjë vetëm me investimet e drejtpërdrejta, ka të bëjë edhe me rrezikun e kapitalit që këtë e bën multiplikativ dhe të cilët ofrojnë mundësi të rritjes së standardit, përmes edhe infrastrukturës së cilësisë, ofrojnë mundësi të informacionit dhe qasjes në financa që e pashë edhe në këtë skemën e suksesshme që ishte, edhe përmes Fondit për Garanci Kreditore edhe përmes mekanizmave të tjerë financiarë, qoftë në sistemin bankar të vendit, por edhe me aftësimin e bizneseve për të aplikuar dhe për të qenë proaktivë në tranzicionin e gjelbër”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila tha se Qeveria ka nënshkruar programin pesëvjeçar me Qeverinë Zvicerane për projekte për sektorin privat që e përfshin drejtpërdrejt tranzicionin e gjelbër.

“Më vjen mirë të them që tash ministria, Qeveria ka nënshkruar programin pesëvjeçar me Qeverinë Zvicerane për projekte për sektorin privat që e përfshin drejtpërdrejt tranzicionin e gjelbër. Pra, prej rritjes së mekanizmave brenda sektorit, tek aftësimi dhe promovimi i konceptit të ekonomisë së gjelbër e deri te rritja e standardit të kualitetit të produkteve që eksportohen”, tha Kusari Lila.

Të ngjashme