Idrizi: Mitrovica nuk do të jetë njollë mjedisore

Prishtinë | 06 Tet 2017 | 11:22 | Nga

Projektet mjedisore nën qeverisjen e PDK-së në Mitrovicë, do të jenë me prioritet, për shkak të gjendjes së rëndë në këtë aspekt. Kështu premtoi kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës nga PDK-ja, Valdete Idrizi, gjatë takimeve që zhvilloi në lagje të ndryshme të qytetit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit.

Ajo tha se në mandatin e fundit gjendja sa i përket mjedisit vetëm sa është rënduar. “Kemi një qytet të mbuluar nga mbeturinat, një qytet që qeveriset nga një pushtet që nuk ka pasur asnjë projekt mjedisor. Gjendja është tepër e rëndë, prandaj për këtë kemi përgatitur një plan detaj në mënyrë që Mitrovica të mos mbetet pikë e zezë sa i përket aspektit mjedisor”.

Në takim me banorët e qendrës së qytetit, Idrizi, përmendi disa prej projekteve mjedisore, si rregullimi i shtratit të lumit Ibër, duke filluar prej vendit ku bashkohet me Sitnicën e deri në fshatin Çabër. “Ky potencial ujor që kemi, do të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë që Mitrovica të kthehet në një atraksion turistik. Tashmë ka përfunduar ndërtimi i Liqenit Artificial, një projekt origjinal që ishte përgatitur, siguruar mjetet dhe filluar nga Avni Kastrati, ndërsa që do të përcillet me projekte të tjera të PDK-së pas 22 tetorit”, tha ajo.

Gjithashtu ajo përmendi edhe trajtimin e lumit Sitnica, që gjithashtu është në gjendje të rëndë. Ndërsa ndër projektet tjera të kësaj natyre, numroi edhe atë për eleminimin e mbetjeve industriale, avancimin e shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave urbane dhe zgjerimin e rrjetit të ofrimit të shërbimeve nëpër fshatra. “Planifikojmë të ndërtojmë parkun e qytetit, të përmirësojmë kushtet dhe funksionalizimin e deponisë së mbetjeve urbane etj”.

Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit, Idrizi ka takuar edhe qytetarë të Urës së Gjakut, mandej ka mbajtur një debat për të rinjtë me rivalët e subjekteve tjera për kryetar komune etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme