Korrupsioni i nivelit të lartë, nga 62 aktgjykime në 2 raste zyrtarëve u është ndaluar ushtrimi i detyrës

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 10:46 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferncë për medie me temën: “Si dështuan institucionet në shqiptimin e dënimeve plotësuese për veprat penale të korrupsionit” e mbajtur në Prishtinë., raporton Ekonomia Online.

Rreze Hoxha nga GLSP, shpalosi të gjeturat e analizës të titulluar “Veprat penale të korrupsionit – mungesa e dënimeve plotësuese”.

Ajo tha se të gjeturat e analizës janë fokusuar në dukurinë e mosshqiptimit të dënimeve plotësuese te veprat penale korruptive, dhe në trajtimin e praktikës gjyqësore të ndjekur nga gjykatat e Kosovës për periudhën qershor 2019 deri në qershor 2020.

Sipas saj, kjo analizë identifikon ndryshimet ligjore në këtë aspekt në mes të Kodit të Ri Penal të hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe Kodit Penal të hyrë në fuqi në vitin 2013.

Ajo ka sqaruar se nga 197 aktakuza të ngritura në vetëm 13 nga to është propozuar që krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”

“…të dhënat e monitorimit të Drejtësia Sot tregojnë se nga 197 aktakuzat e ngritura nga prokuroria e shtetit, në vetëm 13 nga to është propozuar që krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues ‘ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik’ ose ‘ndalimi i ushtrimit të profesionit, detyrës apo veprimtarisë’, gjersa në 184 aktakuza tjera nuk është propozuar shqiptimi i dënimeve të tilla plotësuese”.

“Vetëm 2 nga 13 rastet kur u propozua që përveç dënimit kryesor të shqiptohet edhe  dënimi plotësues hyjnë në kategorinë të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë ku niveli i dëmit të shkaktuar nga vepra penale është i madh, dhe këto dy raste janë ‘Zyrtarët e veriut’ dhe ‘Stenta 3′”.

Sipas saj, në situatë ende me të rënduar karshi aplikimit të këtyre dënimeve gjinden gjykatat  e Kosovës, ngase nga 62 aktgjykime ne vetëm 2 raste është shqiptuar ndalimi i funksionit publik.

“… nga 62 aktgjykimet e analizuara nga Drejtësia Sot, këto gjykata në vetëm 2 raste kanë shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. Në mesin e dy rasteve për të cilat është shqiptuar ky sanksion penal është rasti “Pronto”, ku Departamenti Special i Gjykatës së Apeli ndryshoi vendimin e shkallës së parë, dhe shqiptoi  edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik për 2 vite pas vuajtjes së dënimit kryesor”.

Ajo më tej ka shtuar se këto të dhëna të siguruara nga monitorimi në mënyrë të qartë shprehin faktin që gjykatat në Kosovë fare pak e kanë konsideruar si të nevojshëm shqiptimin e dënimit plotësues përpos atij kryesor.

“Në shumicën e aktgjykimeve për vepra të korrupsionit gjykatat kanë dhënë dënime me kusht, e për këto lloj dënime Kodi penal i vjetër  në tërësi ka paraparë të lejoj që nën diskrecionin e gjyqtarëve të vendoset për shqiptimin apo jo të dënimeve plotësuese”.

“Së dyti, sa i përket bazës ligjore të shqiptimit të këtyre dënimeve, mund të vërehet se ekzistojnë dallime thelbësore në mes të Kodit të ri dhe atij te vjeter Penal. Ky dallim qëndron në natyrën obligative të shqiptimit të këtyre dy dënimeve plotësuese. Në Kodin e ri Penal që është i zbatueshëm momentalisht, vërehet qartë natyra obligative e shqiptimit të këtyre sanksioneve në rastet kur vepra penale është e përfshirë në kapitullin e veprave penale kundër detyrës zyrtare, siç specifikohet ne nenin 62 dhe 63 të këtij Kodi. Ndërsa në Kodin e vjetër kjo është lënë tërësisht në diskrecionin e gjyqtarit përkatës”.

Hoxha ka thënë se edhe kanë analizuar legjislacionin e Ksoovës me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë si dhe ndryshimet e bëra.

“Në të njëjtën kohë, Drejtësia Sot ka krahasuar legjislacionin e Kosovës me legjislacionin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Gjermanisë dhe ka arritur në përfundim se të njëjtit rregullojnë sferën e dënimeve plotësuese me ngjashmëri dhe dallime nga legjislacioni i Kosovës. Ngjashmëritë e këtyre legjislacioneve konsistojnë në faktin se në to është përfshirë ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit”.

“Kurse, dallimet esenciale në mes tyre paraqiten në mënyrën apo formën se si shqiptohet ky sanksion plotësues, ashtu që kodi penal i Sllovenisë dhe ai i Gjermanisë e parashohin urdhërin si formë të ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike apo profesionit, ndërsa legjislacionet e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë e parashohin shqiptimin e dënimit plotësuese së bashku me dënimin kryesor”.

“Drejtësia Sot vlerëson se ndryshimi i Kodit Penal në këtë aspekt paraqet hap pozitiv në krijimin e bazës ligjore adekuate për shqiptimin e dënimeve plotësuese. Dhe për më tepër, heq mundësinë diskrecionale të gjyqtarëve në vendosjen ose jo të këtyre dënimeve kur gjykojnë raste të veprave korruptive. Prandaj, Drejtësia Sot do të vazhdoj që me kujdes të shtuar të monitorojë të gjitha proceset që ndërlidhën me këtë aspekt dhe do informojë publikun e gjerë lidhur me zhvillimet konkrete”, tha ajo, raporton EO.

Sipas saj, Prokurorit të Shtetit që në çdo aktakuzë të ngritur ku përfshihen të pandehur që ushtrojnë funksion zyrtar publik, duhet që medoemos të përfshijnë edhe pjesën e shqiptimit të dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike apo shërbim publik.

Por ajo thotë se gjyqtarët, me rastin e shqiptimit të dënimeve kryesore të respektojnë edhe detyrimin për të shqiptuar edhe dënimin plotësues dhe atë jo vetëm për vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare por edhe për veprat penale të mosdeklarimit ose deklarimit të rrejshëm të pasurisë.

Të ngjashme