Kosova e Shqipëria nënshkruajnë nëntë marrëveshje bashkëpunimi

Pejë | 26 Nën 2018 | 11:54 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë nënshkruar nëntë marrëveshje, raporton Ekonomia Online.

Në Pejë, u nënshkrua Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Ministrin Damian Gjiknuri, nënshkruan marrëveshjen për heqje të tarifave të roamingut në mes të dy vendeve tona. Nga 1 Qershor 2019, qytetarët do të flasin dhe do të përdorin internetin sikurse brenda vendit.

Një ndër elementet kryesore të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të shërbimeve dhe mallrave janë edhe komunikimet elektronike e në veçanti shërbimet mobile në mes të vendeve kudo që ato ndodhen.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hap pozitiv edhe për bashkëpunimin rajonal por edhe për qëllimin final që edhe vendet tona dhe vendet tjera të rajonit të jenë pjesë e Bashkimit Evropian që nga viti 2021 duke u bërë pjesë e Rregullave të Roamingut RLAH (Roam Like at Home).

U nënshkruar edhe protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.

Marrëveshje bashkëpunimi do të ketë edhe në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja, dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare. Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua edhe ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pronësisë industriale të Shqipërisë.

Dy qeveritë kanë nënshkruar edhe Protokollin për ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshje për bashkëpunim do të ketë edhe në fushën e rinisë. Dy kryeministrat kanë nënshkruar  marrëveshjen për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës. Kosova dhe Shqipëria, janë dakorduar edhe për njohjen e patentë shoferëve.

Në bazë të marrëveshjes, palët kontraktuese njohin reciprokisht zëvendësimin, konvertimin e patentë shoferëve/lejeve të drejtimit të vlefshme, të lëshuara nga Autoritetet Kompetente të palës tjetër kontraktuese, në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, në favor të mbajtësve të patentë shoferëve/lejeve të drejtimit, të cilët kanë fituar të drejtën e vendqëndrimit të ligjshëm/rezidencën normale në territorin e vendit të tyre.

Në mesin e një sërë marrëveshjesh, u nënshkrua edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e rinisë. Në bazë të marrëveshjes që do të zgjasë tri vjet, palët synojnë bashkëpunim institucional të të dy vendeve në fushën e rinisë në mbështetje të politikave dhe programeve të përbashkëta si dhe të nismave rajonale dhe evropiane.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë po ashtu kanë nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, palët do të angazhohen për të nxitur: 1. Shkëmbimin e informacioneve dhe dokumentacionit mbi shëndetin në sektorët me interes të përbashkët. 2.Shkëmbimin e informacioneve mbi aparaturat e reja, produktet farmaceutike që kanë dëshmuar kosto-efikasitet dhe zhvillimet teknologjike në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore. 3. Shkëmbimin e eksperteve dhe personelit shëndetësor ( mjekë) në funksion të përmirësimit të stukturave shëndetësore në vendet tona. 3.Ofrimin e shërbimit shëndetësor nga mjekët e Republikës së Kosovës për zonat kufitare të Republikës të Shqipërisë. 4. Pjesëmarrjen në kongreset dhe simpoziumet me karakter ndërkombëtar që do të trajtojnë aspekte të shëndetësisë dhe shkencave  mjekësore, të cilat do të mbahen në vendet përkatëse, dhe me kërkesë të secilës palë. 5.Bashkëpunimin për përgatitjen dhe prezantimin e projekteve të përbashkëta kërkimore zhvillimi, asistence teknike dhe formimi. 6.Bashkëpunimin në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe sëmundjeve jo ngjitëse etj.

  

EkonomiaOnline

?DREJTPËRDREJT – Kryeministrat Haradinaj dhe Rama mbajnë konferencë për medie, pas nënshkrimit të 9 marrëveshjeve ndërmjet Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

Posted by EkonomiaOnline on Monday, November 26, 2018

Lexo më shumë:

Të ngjashme