KQZ-ja nënshkruan Deklaratën e pranimit në ACEEEO

Prishtinë | 23 Sht 2016 | 15:22 | Nga

Pas anëtarësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Kosovës në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhor Evropian (ACEEEO), kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, nënshkroi Deklaratën e pranimit në ACEEEO.

Në këtë Deklaratë, ndër tjerash thuhet: “Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës përmes kësaj deklarate konfirmoj qëllimin tonë për t’u bërë anëtar institucional i Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhor Evropian (ACEEEO)”.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë, në përmbyllje të Konferencës së 25 vjetore të ACEEEO-s, ku morën pjesë përfaqësues nga rreth 40 shtete të botës.

Pas nënshkrimit, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka shprehu falënderim për mbështetjen që i është dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke u bërë anëtari i 25-të i ACEEEO-s, si dhe u zotua për të dhënë kontribut të çmuar në fushën e zgjedhjeve.

Kurse, Presidentja e ACEEEO-s dhe njëherësh kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, Lefterije Luzi, i uroi sukses Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në angazhimin e ri dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference.

Anëtarësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ACEEEO u bë i mundur pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të këtij Asociacioni.

Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhor Evropian (ACEEEO) promovon institucionalizimin dhe profesionalizimin e procedurave demokratike në regjion, si një organizatë regjionale jo-fitimprurëse, që është e pavarur nga partitë politike dhe qeveritë me status ligjor të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme