Kryeministri Kurti priti në takim deputetët e Bundestagut gjerman

Prishtinë | 06 Shk 2022 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetët e Parlamentit Gjerman, Christian Petry, nga Partia Social Demokrate SPD dhe Boris Mijatović, nga Partia e Gjelbër.

Deputeti Petry falënderoi kryeministrin për takimin. Ai theksoi që është i gëzuar që Kosova është rreshtuar me shtetet që shkojnë drejt Bashkimit Evropian. Si socialdemokrat, Petry tha se ka pasur dëshirë që të uroj edhe personalisht kryeministrin Kurti, për qeverinë e re nën udhëheqjen e tij.

Kryeministri Kurti e falënderoi Petry për mbështetjen e tij të vazhdueshme që nga viti 2019, kur u njoftuan gjatë një lojë futbolli në Berlin, e cila u zhvillua mes shoqatës Dardania Bamberg dhe klubit të futbollit të Bundestagut. Ndërsa deputetit Mijatović, kryeministri ia uroj mandatin e parë në parlamentin gjerman.

Deputetët u interesuan për situatën aktuale si dhe marrëdhëniet bilaterale me shtetet fqinje. Kryeministri theksoi se shpreson që Kancelari Scholz e rikthen Procesin e Berlinit në vëmendje të akterëve në Bashkimin Evropian.

Deputeti Mijatović theksoi rëndësinë e faktit që në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane është i theksuar integriteti territorial i Bosnjës dhe se kjo vlenë për tërë rajonin.

Në takim u diskutua mbi situatën me COVID-19 dhe masat e reja mbrojtëse.

Kryeministri i njoftoi që mbi 60% të popullatës mbi 16 vjeç tashmë janë të vaksinuar, ndërsa po vazhdon vaksinimi edhe me dozën përforcuese.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë të drejtësisë dhe qeverisje të mirë.

Ai i njoftoi se sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rritja ekonomike është 9.9 %, e që përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë. Buxheti i vitit 2022 është buxheti më i madh ndonjëherë në Republikën e Kosovës, me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Bazuar në indikatorët ekonomikë, ekonomia vendore po përformon mirë, me rritjen e të hyrave doganore për mbi 1/3, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66%, të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, e investimet e huaja për 53%.

Në fund të takimit, deputetët gjerman theksuan që te politikbërja gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën dhe rajonin, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për objektivat e përbashkëta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme