LDK akuzon Ahmetin për padinë që kishte bërë vetë

Prishtinë | 23 Sht 2016 | 17:09 | Nga

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar në lidhje me akuzat që ia ka bërë sot Dega e LDK-së në Prishtinë.

LDK në Prishtinë ka thënë se është e shqetësuar për dëbimin e familjeve nga banesat në lagjen “Dardania”.

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se për këtë përgjegjësia duhet të bie mbi kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Lidhja Demokratike, Dega IV Prishtinë, shpreh shqetësimin e thellë për dëbimin me forcë të familjeve nga kompleksi i banesave në Dardani. Ky rast paraqet keqtrajtim të banorëve dhe familjeve të tyre. Dega IV e LDK Prishtinë, vlerëson se përgjegjësia politike, morale dhe profesionale, para së gjithash bie mbi Kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti. Në vlerësimin tonë të kujdesshëm dhe të pa nxituar, dëbimi me forcë i këtyre banorëve shpërfaq mentalitetin keq-qeverisës me Prishtinën, nga ana e Kryetarit të Komunës së Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së.

Por, Ahmeti ka thënë se padia për këto banesa është bërë në vitin 2005 nën qeverisjen e LDK-së. Ai ka paralajmëruar edhe një padi për shpifje.

“Në vitin 2005 nën qeverisjen e LDK, Ndermarrja Publike Banesore bën padi për këto banesa, në vitin 2008 Gjykata merr vendim, tash Gjykata zbaton vendimin, ndërsa Shpend Ahmeti fajin.

P.S. Të hënën kjo do të jetë padia e tretë me radhë për shpifje”, ka shkruar ai në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme