Ministrja Hajdari thotë se një fëmijë “u përplas në veturën e saj”, policia thotë se ajo ishte shpejt

Prishtinë | 10 Pri 2022 | 23:43 | Nga Ekonomia Online


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e ka goditur një fëmijë të moshës 9-vjeçare sot rreth orës 12:25, në lagjen Arbëria.

Lajmin që e kanë postuar mediet, në orët e mbrëmjes e ka konfirmuar vetë Hajdari. Por ajo e ka fajësuar fëmijën.

“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas në veturën time”, ka shkruar Hajdari.

(Më vonë, Hajdari e ka edituar postimin dhe ka shtuar: “u përplas anash në veturën time”)

“Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shtuar ajo.

“Ndjehëm më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi. Fëmiut i uroj shëndet e jetë të gjatë”.

Ndërsa në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se shkak i aksidentit ishte mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës.

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin e Policisë.

Të ngjashme