Nis diskutimi rreth ligjit që hap dyert e shtetësisë shqiptare për shqiptarët e Kosovës

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 07:57 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti i Shqipërisë ka filluar diskutimet lidhur me një projektligj të paraqitur nga Qeveria e këtij vendi “Për shtetësinë”.

Ky projektligj, mes tjerash, heq kufizimet juridike për shqiptarët e Kosovës dhe pjesën tjetër që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë për aplikimin për marrjen e shtetësisë shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë diskutoi të hënën në parim projektligjin “Për shtetësinë”.

Të ftuar në mbledhjen e këtij komisioni ishin: znj.Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, z.Pablo Zapata, ambasador i UNHCR-së, znj.Alma Mehmeti, shefe Sektori, Drejtoria Juridike, z.Brian Williams, koordinator rezident i UNHCR-së, Z.Artur Marku, përfaqësues i UNHCR-së dhe znj.Kristina Folkelius, përfaqësuese e UNHCR-së.

Zëvendësministrja e Brendshme, znj. Rovena Voda tha: “ky projektligj ka një impakt shumë të madh për qytetarët që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Është një projektligj i legjislacionit të brendshëm, i cili nuk kërkon të bëjë përafrim me ligjet e BE-së. Ky ligj do të zgjidhë shumë nga problematikat e lidhura me shtetësinë”.

Ndërsa relatorija e këtij projektligji, deputetja Elona Gjebrea u shpreh se “prezenca e përfaqësuesve të huaj në këtë takim të komisionit tregon përkushtimin dhe punën në grup. Migrimi është një fenomen që ndodh në shumë vende e sigurisht edhe në Shqipëri. Problemet e ndryshme që lidhen me këtë çështje kanë detyruar këto vende të bëjnë ndryshimet e nevojshme në ligj. Ky projektligj është ratifikuar me kuadrin ligjor dhe përafruar me legjislacionin e BE-së”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme