PDK-ja zyrtarizon Enver Hoxhajn kandidat për kryeministër

Prishtinë | 23 Dhj 2020 | 17:15 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj do të jetë kandidati për kryeministër i kësaj partie, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për media, sekretari i PDK-së Uran Ismaili.

Ismaili ka thënë se kjo parti ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shkuar në zgjedhje.

“Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e kaluara, kemi pasur një maltretim politik dhe keqqeverisje, nga të gjitha partitë politike të përfshira në Qeveri, që kishte pasoja direkte për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës”, u shpreh sekretari i PDK-së.

Tutje, ai ka thënë se dy Qeveritë Kurti e Hoti dështuan ne çdo sferë, dhe dështimet e tyre ja atribuuan pandemisë.

“Pandemia është treguesi më i mirë për paaftësinë e tyre dhe mospasjen e vizionit. Sot jam i lumtur që të shpallë kandidatin e PDK-në për kryeministër që është kryetari në detyrë Enver Hoxhaj”, u shpreh ai.

Deklarata e plotë e sekretarit të PDK-së, Uran Ismaili:

Të nderuar qytetarë,
Të nderuara media, mirë se keni ardhur!

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e kaluara, kemi pasur një maltretim politik dhe keqqeverisje, nga të gjitha partitë politike të përfshira në Qeveri, që kishte pasoja direkte për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Nga dy Qeveritë, Hoti dhe Kurti, kemi parë dështime të njëpasnjëshme në relacion me pandeminë, ekonominë, si dhe në përballje me Serbinë, pasojat e të cilave i kemi vuajtur si shoqëri.

Viti 2020, pa asnjë dyshim, ishte i rëndë për ekonominë tonë. Mijëra punëtorë mbetën pa punë, e mijëra ndërmarrës pa përkrahje.

Ishte vit i rëndë për shëndetësinë dhe personelin shëndetësor. Ndonëse në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë, ata nuk patën përkrahje nga asnjëra Qeveri, duke i lënë të vetëm, si personelin shëndetësor, ashtu edhe pacientët, në këtë betejë të vështirë.

Ishte vit i rëndë për arsimin, sportin, artin, të rinjtë, të moshuarit. Për secilin.

Ishte vit degradues për agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Dhe, Qeveritë Hoti e Kurti – çdo dështim të tyre ia faturuan pandemisë.

Në fakt, pandemia është treguesi më i qartë i mungesës së vizionit, përvojës dhe përkushtimit të tyre për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve.

Pandemia është pasqyra më reale e paaftësisë së tyre.

Për një vit, arritën të krijojnë një kaos institucional dhe një konfuzion qytetar, duke shtyrë përpara agjenda partiake dhe duke lënë prapa interesin qytetar.

Pas një viti rraskapitës, të rëndë, e politikisht të menaxhuar keq nga ata që qeverisën, është lajm i mirë për qytetarët që këtij degradimi po i vjen fundi.

Një lajm që e bën shkëputjen nga ajo çfarë pamë për një vit.

Prandaj, sot jam i lumtur që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’jua shpalos vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës se Kandidati i saj për Kryeministër është Kryetari në Detyrë, Profesor Enver Hoxhaj.

Z. Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike.

Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Z. Kadri Veseli dhe Z. Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim.

Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu, hyn në këto zgjedhje me një program të qartë për nevojat e qytetarëve, dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të vendit.

Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin e saj për Kryeministër, Enver Hoxhaj, do konfirmohet si forca më e madhe politike në vend dhe do të dëshmohet edhe një herë si e vetmja që di të qeverisë dhe në qendër të qeverisjes së saj do të jetë qytetari.

Të ngjashme