PDK feston 17-vjetorin e themelimit, paralajmëron hapjen

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 19:21 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shënuar sot 17-vjetorin e themelimit.

Drejtues të lartë të PDK-së, deputetëve të nivelit qendror e lokal, ministra dhe ish-themeluesit e kësaj partie, e qindra simpatizantë, janë mbledhur në hotel “Emerald” për të festuar këtë përvjetor.

Kryetari Kadri Veseli, i cili në foltore doli me bashkëshorten e tij, iu dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve “në festën e përbashkët”. Ai rikujtoi se Partia Demokratike “lindi dhe u zhvillua në një situatë dramatike për vendin e sapodalë nga lufta”.

Mes tjerash, Veseli falënderoi kryetarin shumëvjeçar, Hashim Thaçi, që e solli PDK-në deri në këtë ditë.

Veseli theksoi se PDK-së iu bashkuan ata që në kohë dhe rrethana të ndryshme bënë më të mirën për atdheun. “PDK-së që nga themelimi iu bashkuan themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kurorëzoi përpjekjet njëshekullore për lirinë e pavarësi, intelektualët, akademikët, gazetarët, minatorët, të burgosurit politik, arsimtarët e fermerët. Sot, dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë, për kontributin e dhënë në shërbim të atdheut dhe ndërtimin e fuqizimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Një falenderim të veçantë e bëjë për ish liderin e partisë, Z. Hashim Thaçi, presidentin aktual të Kosovës, njeriun, i cili me lidership të vendosur, udhëhoqi proceset historike të vendit dhe fitoret politike të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Sipas tij, “Partia Demokratike lindi për të përfunduar rrugën e lirisë, rrugën nga çlirimi në shpallje të pavarësisë dhe ndërtim të shtetit demokratik e sovran të Kosovës. “Lindi për të fituar paqen. Në këtë mision të shenjtë, Partisë Demokratike të Kosovës, iu bashkuan dhe i besuan njerëzit më të përkushtuar të vendit”.

Veseli tha se ishin këto ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës, ato që siguruan fitoret e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike në zgjedhjet qendrore dhe lokale. “Kemi të drejtë të mburremi me sukseset tona, por, njëkohësisht, edhe detyrimin për të qenë vetëkritikë, është pjesë e moralit tonë politik dhe përgjegjësisë para qytetarëve, që t’i njohim dhe pranojmë gabimet e bëra gjatë ecjes, lëshimet e devijimet nga përgjegjësitë e ngarkuara, fenomenet negative në nivelet e ndryshme të qeverisjes sonë.

Sipas tij, PDK ka nevojë të qëndrojë e hapur “për të gjithë ata që duan të punojnë për vendin, të rinj e të reja, gra dhe burra, për të gjithë ata që kanë ide dhe iniciativa politike e ekonomike, që kanë energji krijuese dhe duan t’i rrisin fëmijët e tyre në një Kosovë të zhvilluar dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane”.

“Ne kemi bashkërisht ende shumë punë për të bërë”, theksoi kryetari Veseli, duke u shprehur optimist se PDK-ja do të vazhdojë të jetë partia më e madhe në vend.

“Ne që kemi ndryshuar Kosovën, kemi forca të ndryshojmë veten, në përputhje me nevojat dhe sfidat e sotme. Si gjithmonë, të bashkuar dhe fitimtar. Urime 17 vjetori dhe na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të përbashkët”, përfundoi Veseli.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili po ashtu ka përshëndetur të pranishmit, tha se PDK-ja është partia më e madhe në vend dhe do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve.

veseli-bashkeshorte-1

pdk-veseli-3

veseli-bashkeshorte-2

veseli-hoxhaj

enver-hoxhaj

pdk-veseli-2

Lexo më shumë:

Të ngjashme