“Rusia i ka hesapet e veta, nuk është e interesuar të zgjidhet çështja e Kosovës”

Prishtinë | 18 Nën 2019 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

“Rusia i ka hesapet e veta dhe nuk është e interesuar që çështja e Kosovës të zgjidhet, sepse atëherë për Serbinë ajo nuk do të ishte aq tërheqëse kur ajo një ditë të zgjidhet”.

Kështu është shprehur në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën serbe, Maksim Samorukov, zëvendës i kryeredaktorit të Qendrës Carnegie të Moskës, transmeton Koha.net.

Sipas pohimeve të tij, kur është fjala për ambiciet e Rusisë që të përfshihet në dialogun midis Beogradit e Prishtinës, “Rusia ka interesin e saj që kjo çështje të mos zgjidhet, ndërsa deklaratat e zyrtarëve rusë mbi arritjen e marrëveshjes përfundimtare mund të lexohen me dy kuptime”.

“Rusia, sikurse edhe në konfliktet e tjera në Ballkanin Perëndimor, nuk dëshiron që konflikti midis Serbisë e Kosovës të zgjidhet. Mbështetja e Rusisë në këto rrethana është vendimtare për Serbinë, në radhë të parë për arsye të situatës në Kosovë. Serbisë i duhet Rusia në nivel ndërkombëtar për forcën e saj në Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të pengojë plotësisht pranimin e Kosovës. Posa të zgjidhet konflikti, Rusia nuk do të jetë më aq tërheqëse për Serbinë. Por, deri me tash kemi parë aq probleme dhe pengesa në rrugën që çon në zgjidhjen e këtij konflikti, sa që Rusia as që ka pasur nevojë të përpiqet për ta penguar atë zgjidhje”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk është prioritet për Rusinë dhe nuk është e gatshme që të investojë shumë para e përpjekje, por nuk e dëshiron as Perëndimin në Ballkan, ka thënë Maksim Samorukov.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme