“Thaçi e ka kuptuar se do të jetë në mesin e të akuzuarve”

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 14:06 | Nga

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi nga posti i tij, sipas saj, për shkak të tentimit për të shfuqizuar Gjykatën Speciale për interesat e tij personale.

Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se Thaçi e ka kuptuar që do të jetë në mesin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale dhe për këtë shkak tentoi shfuqizimin e saj të premten mbrëma.

“Më kujtohet kur në muajin korrik të vitit 2015, pati dështuar votimi për Gjykatën Speciale por menjëherë pas një muaji gjegjësisht me 3 gusht të po atij viti, Kuvendi ka miratuar amendamentin për Gjykatën Speciale, pavarësisht kundërshtimeve tona. Sot po vërtetohet që mosvotimi i amendamentit në korrik, ka pasur për qëllim rritjen e pazarit për Thaçin”, ka shkruar Haxhiu.

“Siç po duket hapur, ai në atë kohë ka marrë garancë që nuk do të jetë njëri ndër të akuzuarit dhe duke e njohur që ai është në gjendje t’i jap shokët e luftës dhe ta kriminalizoj luftën për interesat e tij personale, edhe ka shtyer deputetët e partisë së tij të votojnë Gjykaten speciale”, ka shkruar ajo.

“Me gjasë tash së voni ka mundur të kuptoj që edhe ai do të jetë në mesin e të akuzuarve dhe është në gjendje të bëj gjithçka natën e fshehtazi, vetëm për interesat e tij puro personale. Njëri më dinak, më tinzar e më të paskrupullt, zor se mund të gjesh”.

Deputetja Haxhiu ka shkruar se Thaçi dhe Kadri Veseli e të tjerë zyrtarë të lartë shtetëror duhet të japin llogari për krimet që kanë bërë pas luftës në Kosovë.

“Le të mos tentojnë të na gënjejnë që me ligj mund të shfuqizohet Gjykata Speciale, sepse PDK, LDK dhe Lista serbe, e kanë futur në Kushtetutë! Kjo tendenca e mbrëmshme, është një përpjekje e Thaçit që të marr sërish garancë për veten. Ne na duhet të ndalojmë tendencat e kriminalizimit të luftës së drejtë të UÇK’së ajo s’bëhet me këto përpjekje para së cilave fshihet Thaçi! Hashim jep dorëheqje”, ka shkruar deputetja Haxhiu.

Të ngjashme