Votimi për Marrëveshjen e Demarkacionit sot në orën 11

Prishtinë | 21 Mar 2018 | 00:52 | Nga

Pas nëntë orësh debat për dhe kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, votimi për projektligjin është lënë të bëhet të mërkurën nga ora 11, raporton Ekonomia Online.

Debati ka përfunduar pak para orës 1 të natës. Në këtë kohë në sallë kishin mbetur 69 deputetë. Ndërkohë që për kalimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota.

Pas konsultimit me kryetarët e grupeve parlamentare, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka njoftuar deputetët se vazhdimi i seancës, pra votimi i Demarkacionit të mbahet sot në ora 11:00.

Fillimisht u propozua që vazhdimi i seancës të mbahej në orën 10:00, por Glauk Konjufca i VV-së bëri vërejtje pasi në atë kohë është paraparë vazhdimi i seancës për votimin e rekomandimeve/peticionit për Rastin e Astrit Deharit.

Nga 69 deputetët e pranishëm në sallë, 46 deputetë votuar që seanca të mbahet të mërkurën nga ora 11:00.

Gjatë seancës së sotme që nisi pas orës 16:00 kanë diskutuar më shumë se 30 deputetë të Kuvendit, të cilët kishin nga 10 minuta në dispozicion.

Seancën e sotme e bojkotuan deputetët e Listës Serbe, ndërkaq mungoi edhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi për shkaqe shëndetësore.

Të ngjashme