Qeveria e Polonisë po kthen Stadium Kombëtar në Varshavë, e cila është hapësira më e madhe në vend, në hapësirë për spital pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 që ka lënë sistemin shëndetësor në vështirësi. Masa të njëjta do të mirren edhe në zona të tjera të shtetit.
Edhe pse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, lajmi ka ardhur nga dy media të mëdha vendore të cilat me burime kanë informuar mbi masat.
Këtë javë, ministri i Shëndetësisë, Adam Niedzielski, kishte konfirmuar se po diskutohet krijimi i hapësirave të reja për spitale, transmeton KOHA.
Spitalet do të mund të hapen gjatë kësaj jave, me rreth 500 shtretër fillimisht.
“Sapo të mos ketë më shtretër të lirë në spitale, hapësira të fushave do të lëshohen për spitale”, ka thënë një burim nga zyra e kryeministrit, sipas medias Wirtualna Polska.
Stadiumi Kombëtar me gjithsej 58,580 ulëse është ndërtuar një dekadë më herë pasi Polonia ishte mikpritëse e Kampionatit Evropian të Futbollit, në vitin 2012.
Mediat raportojnë se ushtria është e përfshirë në ndërtimin e spitaleve brenda asaj hapësire, punë që ka nisur qe dy ditë.
Polonia të premten ka shënuar rekord ditor të të vdekurve nga COVID-19, përcjell Notes from Poland.