Presidenti i Islandës fiton 90 për qind të votave

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Islandës, Gudni Johannesson, i ka fituar bindshëm zgjedhjet presidenciale, sipas rezultateve të para që u publikuan në orët e vona të së shtunës, duke e siguruar edhe një mandat në krye të vendit ishullor.

Që nga dështimi i madh i sistemit bankar në vitin 2008, shteti verior me vetëm 365,000 banorë ka fituar stabilitet ekonomik dhe politik, gjë që ka shkuar në favorin e presidentit 52-vjeçar, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

“Jam i nderuar dhe krenar. Për mua, ky rezultat i zgjedhjeve është për ta dëshmuar faktin se bashkëvendësit e mi islandezë e kanë miratuar mënyrën se si i jam qasur kësaj zyreje”, tha ai.

Në vendin me sistem parlamentar, presidenti ka kryesisht detyra simbolike, por ai e ka të drejtën e vetos për legjislacion dhe të drejtën për të hedhur ligje në referendum.

Fitoren e presidentit Johannesson e kishin parashikuar sondazhet e zhvilluara në fillim të muajit. Ai ka garuar si kandidat i pavarur dhe në të kaluarën ka qenë profesor i historisë.

Koronavirusi nuk ka ndikuar shumë në votime, sepse Islanda deri më tani i ka shënuar vetëm 10 viktima dhe i ka 11 raste aktive.

Të ngjashme