Presidenti Meta: E hidhur për shqiptarët ndarja nga jeta e John McCain

Prishtinë | 26 Gus 2018 | 10:19 | Nga

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ndarë një reagim pikëllues me rastin e ndarjes nga jeta të senatorit amerikan John McCain.

Meta e ka quajtur hero lufte dhe patriot të madh senatorin McCain ndërsa ka potencuar se i shërbeu kombit të tij me vetëmohim e ndershmëri.

Veç tjerash përmes llogarisë së tij në facebook, ai ka theksuar dhe mbështetjen e pashoq të John McCain në çështjet e Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e po ashtu dhe në çështjen e anëtarësmit të Shqipërisë në NATO:

”Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët.

Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe.

Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan.

Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë ShBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën.
Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm.
U prehtë në paqe shpirti i tij!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme