Prodhimet bujqësore rriten për 2.57%

Prishtinë | 09 Shk 2018 | 11:18 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e katërt (TM4 2017) (2010=100), raporton Ekonomia Online.

Për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e katërt të viteve 2010-2017 dhe për vitin bazë 2010.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë nëpër tregje, ferma dhe në vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për  0.79%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 4.41%.

Pra, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.57%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme