Projekti për Qytetin Ekonomik Kosovaro-Amerikan iu prezantua Frank Cownie

Prishtinë | 26 Qer 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim, Frank Cownie, Kryetar i Des Moines, Iowa, të cilit ia prezantoi projektin për Qytetin Ekonomik Kosovaro – Amerikan.

Haradinaj ka njoftuar Cownie për prioritetet e qeverisë në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, për mundësitë që ofron Kosova për investimet e huaja, veçmas ato nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke falënderuar SHBA-tw për mbështetjen e parezervë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, kryeministri deklaroi se në këtë fazë të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Ai më tej shtoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë në lehtësimin e procedurave dhe legjislacionit për investitorët e huaj potencial, si ligjin për investime strategjike dhe një sërë lehtësirash tatimore, që i hapin rrugë investimeve të huaja.

“Përcaktimi ynë për një miqësi dhe partneritet të përjetshëm me ShBA-të po dëshmohet çdo herë e më shumë me projekte konkrete, siç është edhe Qyteti Ekonomik Kosovaro-Amerikan, për çka qeveria po punon në vazhdimësi për ta shndërruar në storie suksesi për zhvillim ekonomik të vendit dhe vlerë të shtuar të partneritetit tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke potencuar faktin se Kosova ofron resurse natyrore, humane dhe infrastrukturë rrugore për investitorët dhe ndërmarrësit potencial përtej Atlantikut, që të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve nga ShBA-të, kryeministri i vendit tha se Qyteti Ekonomik Kosovaro-Amerikan është një mundësi e mirë për ofrimin e kushteve të nevojshme për investimet e kompanive të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana e tij, Frank Cownie vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Iowa-s dhe Republikës së Kosovës, duke thënë se kjo do të vazhdojë në fusha të ndryshme, si në ekonomi, edukim, siguri dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme