Prokurori kërkon dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 16:44 | Nga

Në fjalën përfundimtare në gjykimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami tha se dëshmitari Egzon Metolli ka ofruar informacione lidhur me kryesit e veprës dhe motoçikletën e përdorur në sulmin e 4 gushtit 2016.

Sa i përket motoçikletës së përdorur në sulmin kundër Kuvendit të Kosovës me mjet shpërthyes, prokurori tha se ka siguruar librezën e motoçikletës nga organet zvicerane dhe se është numri i njëjtë i shasisë dhe elementet tjera karakterizuese mes motoçikletës së shpallur në faqen “merrjep.com” dhe asaj të gjetur të djegur, shkruan kallxo.com

Po ashtu, prokurori Islami tha se ka siguruar pamjet e kamerës kur të akuzuarit kanë blerë një mbushje telefoni në arkën e ETC-së dhe se përmes asaj mbushjeje është telefonuar shitësi i motoçikletës, Heset Ramadani.

Sipas prokurorit, shitësi është thirrur nga numri i të pandehurit Atdhe Arifi.

Prokurori Abdurrahim Islami këto pretendime është duke i shoqëruar me fotografi, në të cilat sipas tij shihen të akuzuarit.

Më tej, prokurori tha se të akuzuarit ndërmorën masat preventive për të kryer veprën për të cilën akuzohen.

“Telefoni i blerë është përdorur vetëm për një email. Po ashtu edhe mbushja e motoçikleta për të mos mbetur asnjë provë, por nuk ia kanë dalë”, tha prokurori.

Prokurori i Prokurorisë Speciale tha po ashtu se në asnjë moment nuk qëndrojnë pretendimet e të akuzuarve për rast politik.

Prokuroria në këtë rast nuk ka pasur asnjëherë mëdyshje dhe faktet që i përmenda më lartë si motoçikleta, telefoni dhe dëshmitarët tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për veprën që u vihet në barrë andaj propozoj Gjykatës që të marrë aktgjykim dënues dhe t’i dënojë në pajtim me dispozitat në fuqi.

Në seancën e kaluar, prokurori Islami e kishte pranuar se ekspertizat dhe provat nuk i ndërlidhin direkt të akuzuarit me sulmin kundër Kuvendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme