Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një komunikate për media thotë se “pretendimet e përkthyesit të raportit të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit, nuk janë të vërteta dhe janë si pasojë e reagimit publik lidhur me cilësinë e përkthimit”.
Në njoftim, Prokuroria Themelore në Prizren thotë se e “siguron opinionin publik se përkthyesit i është dhënë në përkthim i gjithë dokumentacioni i ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës”.
“Për hir të informimit të drejtë e të saktë të opinionit, përkthyesi ka pranuar raportin e ndarë në dy pjesë. Pas marrjes së raportit të përkthyer në gjuhen shqipe nga përkthyesi, Prokuroria ka vërejtur se faqja 14 në të cilën kanë qenë të përfshira konkluzionet nuk ka qenë e përkthyer në gjuhen shqipe”, njofton Prokuroria Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, “faqja e parafundit nr.13 përmban konkluzione me nënshkrimin e dy autorëve, ndërsa faqja e fundit nr.14 përmban konkluzione nga dy raportet e nënshkruar nga tre autorë, dhe ne besojmë se përkthyesi është vënë në lajthim nga faqja e 13 duke menduar se aty përfundon raporti”.
“Ndërsa, edhe vet përkthyesi ka theksuar se ka pranuar raportin prej 14 faqesh. Faqja e 14 e raportit ka munguar në përkthim në gjuhën shqipe dhe me të vërejtur këtë fakt Prokuroria ka kërkuar nga përkthyesi që menjëherë të përkthehet edhe faqja e 14 në mënyrë që të kompletohet raporti dhe i njëjti ti dorëzohet në të dy gjuhët familjes”, thuhet në njoftim.
Për të gjitha këto Prokuroria thotë se i posedon të gjitha dëshmitë se përkthyesi e ka pranuar tërë materialin e kompletuar së bashku me konkluzionet të cilat kanë qenë në faqen 14.
“Prokuroria Themelore në Prizren bën thirrje që të mos manipulohet opinioni, si dhe të mos thuhen gjëra të pavërteta dhe tendencioze të cilat mund të ndikojnë negativisht në rastin në fjalë”, thuhet në fund të njoftimit.