Prokuroria po heton 64 raste të dhunimeve seksuale

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke zhvilluar hetime për 64 raste të dhunës seksuale.

Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e këtij departamenti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se një numër i kryesve të krimit është identifikuar nga viktimat dhe, sipas saj, me urdhrin e gjykatës, është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar.

Në intervistë ajo thotë, po ashtu, se pas lëshimit të letërshtimit ndërkombëtar pritet ndalimi i tyre nga INTERPOL-i (Organizata Ndërkombëtare e Policisë).

“Për momentin kemi 64 raste të cilat janë aktive, janë në procedim. Mirëpo, prej këtyre 64 rasteve, nuk do të thotë që kemi arritur ta identifikojmë në secilin rast kryesin e këtyre veprave penale. Një numër i kryesve është identifikuar nga viktima me urdhrin e gjykatës është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar dhe jemi në pritje. Do të thotë, këto letërshtime ndërkombëtare i ekzekuton Interpoli dhe presim që kudo që gjinden këta persona kryerës të veprave penale që të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka bërë të ditur se pak raste nga këto janë kur burri paraqitet si viktimë.

“Nuk është numër i madh, janë krejt katër apo pesë raste, ku si viktimë paraqitet gjinia mashkullore. Këtu është një hezitim nga ana e burrave për t’i paraqitur këto raste. Dihet arsyeja. Unë mund ta përmend një rast të një mashkulli të dhunuar, të cilin unë e kam intervistuar në Suedi. Ai jeton në Suedi, unë kam shkuar në Suedi dhe e kam intervistuar për këtë vepër penale. Ai ka arritur ta identifikojë kryesin dhe kryesi tash është në kërkim sipas fletë-lëshimit ndërkombëtar”, është shprehur Hajdari.

Të ngjashme