Pse Greqia nuk e njeh Kosovën?

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 13:33 | Nga Daut Dauti

Greqia ndaj Kosovës zbaton një politikë mjaft pragmatike. Nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por as nuk e pengon praninë ndërkombëtare të këtij vendi të ri evropian. Me këtë qëndrim Athina, me aktivitetin ekonomik (investime) në Kosovë, mëton ta shtrijë influencën e saj, njëkohësisht duke e ruajtur vëllazërinë me vendet ortodokse, gjegjësisht Serbinë. Është një politikë balansi. Prandaj, Athina nuk e ka lehtë ta implementojë këtë politikë.

E mbaj mend një bisedë më udhëheqësin e Zyrës Diplomatike Greke në Prishtinë në vitin 2005 kur unë kam punuar në kryeministri të Kosovës. Atëherë mua më takonin përfaqësuesit e shumë zyrave të huaja, por i dërgonin funksionarët e dorës së dytë. Në rastin e Greqisë, erdhi vet shefi i zyrës që ishte befasi, por edhe respekt për mua dhe zyrën tonë.

Në byfenë e Kuvendit, unë e hapa bisedën (ndoshta në mënyrë jodiplomatike) duke i thënë përfaqësuesit grek se shqiptarët, sidomos kosovarët, nuk kanë ndonjë mendim të mirë për Greqinë, sikur që as grekët nuk kanë mendim të mirë për shqiptarët.

“Pjesërisht e ke gabim” – u përgjigj ai dhe vazhdoi: “Kësi mendimi kam pasur edhe unë derisa nuk kam ardhur në Prishtinë, por tashti e kam ndryshuar”.

E vërtetë, gjërat ndryshojnë kur njihemi. Por, politikat zyrtare të shteteve e ruajnë një vijë tradicionale. Kjo vijë në Greqi është anti shqiptare, anti turke dhe anti bullgare. Është kështu për arsye se Greqia shtrihet në territore që normalisht do të duhej të ishin pjesë e këtyre tri vendeve. Për këtë arsye Evropa e ka krijuar Greqinë. Pra, për ta frenuar ndikimin sllav dhe turk, gjegjësisht mysliman në Ballkan. Për këtë arsye Greqia edhe ka hyrë në NATO dhe në Union Evropian. Madje, në një periudhë, Evropa, kryesisht Franca dhe Britania e Madhe, e ka llastuar aq shumë Greqinë sa që ia premtoi edhe Turqinë me Stambollin për kryeqytet grek. Ky është një lazdrim i tepruar, por te grekët e ka krijuar ledhatimin e megalo idesë që vazhdon edhe sot.

Greqia është larguar me sukses nga ndikimi pan sllav, por nuk e ka hedhur anash vëllezërinë ortodokse me sllavët. Madje, Kisha Ortodokse Greke, tradicionalisht anti shqiptare, është aq e rëndësishme në shoqërinë greke sa që edhe kushtetuta ia garanton vendin sipëror si institucion. Greqia është i vetmi vend evropian që Kishës i ka dhënë rol kaq të madh.

Me kalimin e kohës, edhe unë sikur diplomati grek, e kam ndryshuar mendimin. Grekët kanë një shtresë të intelektualëve për lakmi. Grekët kanë krijuar një shtresë të shkrimtarëve apo edhe të historianëve, që e kritikojnë rrept të kaluarën e tyre. Kur bisedon me ta, habitesh nga pozitiviteti që kanë. Por, sërish, është tejet e habitshme pse kjo shtresë nuk ka ndikuar pothuaj aspak në mentalitetin e grekut të zakonshëm që ende është ai i fshatarësisë së shek. XIX. Me siguri që për këtë arsye Greqia e zbaton një politikë ende magalomane për shkak se varet nga këta votues.

Sot, problem kryesor i politikës së jashtme greke është ndikimi i Turqisë në botë, veçanërisht në Ballkan. Sa më i madh që është ky ndikim, Greqia ndjehet më e frikësuar. Prandaj, Greqia nuk e njeh Kosovën.

Madje, do ta pengojë edhe Shqipërinë në ecjen e saj drejt Unionit Evropian, e cila gjë po shihet me pasojat që ka prodhuar rasti i burgosjes së Belerit. Me pak fjalë, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë më të komplikuara se që shihen në sipërfaqe.

Të ngjashme