Pse nuk ka rezistencë ndaj klientelizmit dhe familjarizmit të këtij pushteti?

Prishtinë | 23 Jan 2023 | 21:23 | Nga Afrim Kasolli

Dje mediat lajmëruan se si tezakja e presidentes Osmani eshte rehatuar në Ministrinë e Bujqësisë të drejtuar nga Faton Peci. Më herët po ashtu vellau i saj ishte rekrutuar në BQK.

Kjo logjikë tribale politike po bëhet i vetmi kriter politik për punësim në insitucionet publike të administruar nga ky pushtet. Sidomos, shto këtu edhe faktin që tezakja e presidentes nuk i kishte plotësuar as kriteret profesionale të britanikeve për pozitën në fjalë.

Ndaj këtij rekrutimi siperfaqësisht reagoi PDK-ja. Kurse LDK-ja as që e mori mundin ta denonconte atë. U pajtua në heshtje me këtë akt. Mbase nga afërsia politike dhe ideologjike me tezaken e të punësuares.

Kurse ndaj PDK-se u kundërpërgjigj vetë ministri Peci. Dhe ate me nje “kumt” shantazhues. Ai ne reagim askund nuk dëshmoi se nuk ka intervenuar për këtë rekrutim klientelist. Por ia doi te shmangë përgjegjësinë duke kaluar në sulm te drejtpërdrejtë ndaj kesaj partie politike. I kërcënoi se do t’i bëjë publike aktet korruptive të drejtuesve te këtij formacioni gjatë kohës sa e kanë menaxhuar Ministrinë e Bujqësisë.

Pas kesaj “fetva-je” politike pasoi heshtja mortore nga kjo parti. Askush nuk reagoi dhe nuk kërkoi ballafaqim për këtë temë. Por sikur u pajtuan që te vazhdohet ne këtë mënyrë. Që zyrtarët e pushtetit t’i punësojnë familjaret e tyre dhe që këta të fundit të mos flasin për te kaluarën e opozitës.

Një mirëkuptim dhe paqe e tillë ndërmjet dy palëve tregon se pse nuk ka reagime dhe kundërshtime serioze politike ndaj klientelizmit famijar kundër këtij pushteti. Dhe kjo dëshmon po ashtu se sa e pashpresë është kjo opozitë. Pra derisa ajo ka frikë nga nje ministër i Bujqësisë, atëherë çka mund të pritet diçka më shumë prej tyre?

Ironike, por e vërtetë. Pse vjen nje ditë qe pushtetar si ministri Peci mund ta heshtë nje parti politike që ka dalë nga strukturat e UÇK-së, këtë askush nuk ka mundur ta paramendojë.

Të ngjashme