Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është arsyeja e vonesës së bisedimeve për formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi, sepse për këtë çështje nuk ka marrëveshje mes palëve që duhet ta formojnë atë, thotë analisti politik në Podgoricë, Zllatko Vujoviq.
Sipas tij, i mandatuari për kryeministër, Dritan Abazoviq, nuk do të ketë mbështetje në Kuvendin e Malit të Zi, nëse të gjithë pjesëmarrësit në Qeveri nuk e dënojnë hapur agresionin rus në Ukrainë.
Partitë sovraniste, përkrahja e të cilave është e nevojshme për zgjedhjen e Qeverisë së Abazoviqit, kanë paralajmëruar se kriter për mbështetje do të jetë orientimi i qartë euroatlantik, duke përfshirë edhe qëndrimin se Rusia ka kryer agresion ndaj Ukrainës.
Sipas njoftimit të Abazoviqit, Qeveria e re e pakicës do të përbëhet nga zyrtarë të Koalicionit “Bardh e Zi” të Lëvizjes Qytetare URA dhe CIVIS dhe zyrtarë të partive të pakicave: Koalicioni Shqiptar, Lista Shqiptare, Partia Boshnjake dhe Partia Socialiste Popullore (SNP), e cila është pro-serbe.
Qeveria e Abazoviqit ka nevojë edhe për mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq dhe llogarit në mbështetjen edhe të social-demokratëve. Sidoqoftë, këto parti nuk do të merrnin pjesë në Qeveri.
Vujoviq, megjithatë, paralajmëron se Qeveria nuk do ta marrë mbështetjen e tyre, kryesisht për shkak të synimit të mandatarit për t’i dhënë SNP-së poste të rëndësishme në Qeverinë e re.
Sipas Vujoviqit, është e qartë se Qeveria e re nuk do ta ketë mbështetjen pa kushte të SNP-së.
“Tani e kemi edhe një problem tjetër që e rëndon këtë proces, dhe kjo është situata në Ukrainë, sepse një e treta e vendeve në Qeverinë e ardhshme duhet t’i përkasin SNP-së pro-ruse”, thotë Vujoviq.
Deri më tani, SNP ka refuzuar të ofrojë një qëndrim të qartë për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Një përcaktim i qartë i Qeverisë së ardhshme për pushtimin rus të Ukrainës
Gjatë negociatave për Qeverinë e ardhshme janë publikuar dy dokumente për detyrimet e Qeverisë së re dhe të shumicës parlamentare, për daljen e Malit të Zi nga kriza politike dhe institucionale.
Njëri prej tyre dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, por është e paqartë nëse kjo do të jetë në dokumentin mbi parimet e punës së Qeverisë së ardhshme.
Qeveria në largim e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq – përkundër obligimit të Malit të Zi për të ndjekur politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, gjë të cilën e bën që nga viti 2012 – nuk e ka konfirmuar vendimin për zbatimin e sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Më 17 mars, Krivokapiq ka ndërprerë mbledhjen, në të cilën do të konfirmoheshin sanksionet.
Vendimi i Qeverisë është i domosdoshëm që sanksionet të zbatohen në praktikë.
Sanksionet e Ballkanit Perëndimor kundër Rusisë
Vujoviq shpjegon se përse një qëndrim i qartë për çështjen e Ukrainës, duhet të përfshihet, sipas tij, në programin e Qeverisë së re:
“Ne kemi një situatë, ku Qeveria nuk ka miratuar sanksione kundër Rusisë, ku aktiviteti i politikës së jashtme të vendit dhe sistemi i sigurisë janë bllokuar dhe pushteti ekzekutiv dominohet nga personeli politik ruso-serb, që përfaqëson interesat e politikës ruse”.
Edhe pse Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit në fillim të shkurtit, ajo mbetet me mandat teknik deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Moskonfirmimi i sanksioneve evropiane nga Qeveria e Krivokapiqit ka shkaktuar reagime negative nga institucionet evropiane dhe nga selia e BE-së në Bruksel.
Përse SNP-ja është problem i Qeverisë së re?
Abazoviq e ka kritikuar Krivokapiqin për pengimin e miratimit të vendimit për sanksione kundër Rusisë.
“Ne duhet të mbajmë anën dhe ana jonë nuk është ruse. Ata që nuk e kuptojnë këtë, minojnë qëllimin tonë më të madh: të jemi anëtar i BE-së”, ka thënë Abazoviq.
Ai i ka ofruar SNP-së vende në Qeverinë e re. Kreu i SNP-së, Vlladimir Jokoviq, ka thënë dy javë më parë se “ai nuk mund të përgjigjet nëse Rusia po pushton” Ukrainën. Për këtë do të vendoset “kur të jetë koha e duhur”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, SNP ka kandiduar në një koalicion me Frontin Demokratik pro-serb dhe pro-rus, me të cilin po ashtu ka votuar për disa vendime të diskutueshme në Parlamentin e Malit të Zi.
Hyrja e SNP-së në Qeverinë e re i siguron Abazoviqit numrin e nevojshëm të votave në Parlament për marrjen e vendimeve madhore në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit, meqenëse këto vendime merren me dy të tretat e votave. Nëse Qeveria e pakicës do të mbështetej vetëm nga DPS-ja, partitë sovraniste dhe minoritare, ajo do të kishte një shumicë të thjeshtë.
Në qershor të vitit të kaluar, deputetët e SNP-së nuk kanë votuar për miratimin e Rezolutës për Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe kanë votuar kundër shkarkimit të ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Vlladimir Leposaviq, i cili e ka mohuar atë gjenocid.
“Këtu shtrohet pyetja se përse disa subjekte që dikur kanë votuar kundër largimit të Leposaviqit, tani do të shpërbleheshin me pozita në Qeverinë e re? Çfarë do të arrijmë nëse emërojmë personel pro-rus në poste të rëndësishme?”, thotë Vujoviq.
SNP është themeluar në vitin 1997 nga Momir Bullatoviq, i cili e ka ndarë krahun e tij partiak nga DPS-ja e atëhershme e Gjukanoviqit, pasi kjo e fundit ka devijuar nga politika e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq.
Bullatoviq dhe partia e tij e kanë mbështetur Millosheviqin deri në rrëzimin e tij në vitin 2000.
Qeveri e pakicës apo teknike?
Hyrja e SNP-së në Qeverinë e re kundërshtohet ashpër nga Fronti Demokratik pro-rus dhe Demokratët. Sipas tyre, një gjë e tillë paraqet “tradhti ndaj vullnetit elektoral”, i cili në zgjedhjet e gushtit, 2020, ka rrëzuar Qeverinë 30-vjeçare të DPS-së.
Ata kërkojnë formimin e një qeverie kalimtare ose teknike, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha partitë që do t’i përgatisnin zgjedhjet e reja.
Këto subjekte politike kanë paralajmëruar veprime jashtëinstitucionale nëse formohet Qeveria e pakicës.
Vujoviq beson se Mali i Zi tani është larg formimit të një qeverie të pakicës, por nuk është i sigurt se sa afër janë zgjedhjet e reja.
“Mendoj se nuk duhet përjashtuar mundësia e formimit të një qeverie teknike, të mbështetur nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, sepse ndoshta ajo qeveri teknike do të mundësonte lënien anash të disa çështjeve, për të cilat nuk ka marrëveshje të gjerë, dhe fokusi do të ishte te krijimi i kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, thotë Vujoviq.
Nënkryetari i partisë së Abazoviqit, Goran Gjuroviq, ka thënë më 20 mars se URA dhe lideri i saj, Abazoviq, do të detyrohen t’ia kthejnë mandatin presidentit të Malit të Zi, nëse së shpejti nuk marrin mbështetje të qartë për Qeverinë evropiane.
Pas kësaj do të mbaheshin zgjedhjet, të cilat, sipas Gjuroviqit, do të ishin zgjidhja më e keqe për momentin.
“Në kohën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, rritjes së madhe të çmimeve dhe rëndësisë së sezonit të ardhshëm turistik, mbajtja e zgjedhjeve do të ishte një zgjidhje katastrofike për ekonominë dhe qytetarët e Malit të Zi”, ka thënë Gjuroviq.
Formalisht, Abazoviq ka edhe dy muaj e gjysmë kohë për të formuar një qeveri, e cila më pas do të shkonte në votim në Parlamentin e Malit të Zi.
Megjithatë, nuk është e qartë se kush do ta caktonte atë seancë, pasi Parlamenti i Malit të Zi është i bllokuar./rel/