Qetësia para stuhisë në PDK

Prishtinë | 31 Jan 2023 | 14:07 | Nga Afrim Kasolli

Një fenomen i çuditshëm është vërejtur këto ditë. Madje ky paradoks nuk u trajtua as nga mediat. Aktiviteti politik i pushtetit të odave në PDK, siç po quhet ndryshe nga mediat, është pezulluar thuajse totalisht. Nuk ka asnjë postim për ndonjë mbledhi të tillë.

A është kjo zmbrapsje e tyre, për shkak të vërshimeve që kane ndodhur në Komunën e Skenderajt, dhe ku “patriarku” partiak i këtij pushteti, Sami Lushtaku, është më shumë i fokusuar, në menaxhimin e dëmeve që shkaktuan reshjet, apo për shkak të një takimi që ka ndodhur para pak dite në një hotel luksoz, ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të pushtetit të “Bon Vivantit” mbetet të shihet.

Në atë takim të dy palët janë pajtuar për kompromis dhe është arritur një dakordancë, që ky proces, i cili në shumëçka e kishte pamjen e shantazhit kundër reformatoreve të partisë, të ndërpritet përkohësisht deri në një ridefinim të pozicioneve.

Ndonëse zhvillimet e ardhshme në këtë drejtim në shumëçka do të varen nga një vizitë e planifikuar ndërmjet protagonistit kryesor të pushtetit të odave dhe Fatmir Limajt në Hagë. Mbase ai takim do jetë vendimtar dhe do ta përcaktojë rrjedhën e ngjarjeve të brendshme partiake, pavarësisht, dëshirave, synimeve dhe vullnetit të dikujt.

Megjithate, as mbartësit e mentalitetit politik të Bon Vivantit nuk janë unik në aspektin strategjik dhe taktik. Kështu bie fjala, kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismali është ithtar i asaj teze, që duhet të radikalizohet deri në fund ai qëndrim që ky e pat filluar në garën elektorale për Prishtinën, ku e karakterizon synimi për një shkëputje rrënjësore nga trashëgimia e deritanishme e PDK-së. Dhe se kjo trashëgimi duhet të jetë vetëm vlerë muzeale, por pa ndonjë peshë dhe ndikim politik partiak.

Mbase fantazmagori të tilla i kanë lindur edhe nga iluzioni se pikërisht identifikimi parcial me PDK-në, qe pengese që ta fitonte pozitën e të parit të kryeqytetit. Pa e kuptuar të vërtetën, që ai sikur se antarët e tjerë te grupit, pa PDK-në do ishin disa endacakë politikë. Pra profesion, pa asnjë kredibilitet politik. Ai bie fjala, thotë se është psikolog me profesion. Por a e dinë dikush që ai një herë një jetën e tij e ka ushtruar atë profesion, apo a e ka dëgjuar dikush që një herë në jetë që sa është në jetën publike t’i shpjegoj proceset sociale dhe politike me kategori akademike psikologjike.

Pra qasja e tij bizare është kështu përafërsisht, ne mirë kemi bërë që e kemi shfrytëzuar pushtetin, resurset dhe kapitalin e partisë për t’u afirmuar politikisht dhe financiarisht, por tash ka ardhur koha të divorcohemi nga kjo trashëgimi për ta fituar lirinë tonë politike.

Ndërkohë, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së synon të mbajë një qëndrim më të matur. Se si të kombinohet e kaluara më të ardhmen. Kurse kryetari i partisë pritet ta bëjë sintezën e këtyre kontradiktave. Pra i gjithë ankthi i tyre siç po shihet është, se si ta ruajnë atë qe e kanë aktualisht, por që nuk përfaqëson asgjë politikisht, as për të kaluarën, të tashmen dhe as për të ardhmen.

Sidoqoftë, kjo qetësi momentale më shumë më duket një qetësi e rrejshme. Dhe se ajo i ngjason qetësisë para stuhisë.

Të ngjashme