Qeveria Shqiptare shpall lumin Vjosa – Park Kombëtar

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Lumi Vjosa është shpallur Park Kombëtar nga qeveria shqiptare.

Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit shqiptar më 13 mars dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Shpallja Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte një vit më parë si Park Natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Evropë”, tha Kumbaro.

Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon lumin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet që kanë shkaktuar debat në madh në Shqipëri, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.

Ministrja Kumbaro deklaroi se shumë shpejt do të hartohet plani i menaxhimit të kësaj zone, që do të saktësojë se ku mund të zhvillohen zona tradicionale, eko-turizëm, dhe ku do jetë pjesa mbrojtjes strikte dhe nuk do të lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje.

Në janar të këtij viti, lumi Vjosa mori statusin Park Natyror.

Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.

Të ngjashme