Raiffeisen Bank do të vazhdojë përkrahjen për shëndetësinë kosovare

Prishtinë | 06 Tet 2016 | 11:37 | Nga

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot drejtorin ekzekutiv të Raiffeisen Bank në Kosovë Robert Wright, me të cilin biseduan për bashkëpunimin dhe përkrahjen që kjo bankë me donacione është duke i dhënë sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Ministri Rrahmani e falënderoi drejtorin Wright për kontributet që kjo bankë i ka dhënë për të ndihmuar institucionet shëndetësore me pajisje dhe në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.

Drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank, Robert Wright , tha se është i lumtur që kjo bankë ka pasur mundësinë që të ndihmojë institucionet shëndetësore dhe pacientët përmes sigurimit të pajisjeve të ndryshme, të cilat ai vlerësoi se po përdoren drejt me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë. Në këtë aspekt, z. Wright tha se është i kënaqur edhe me bashkëpunimin me MSh-në dhe institucionet shëndetësore që donacionet të japin efektin për çka është kontribuar.

Gjatë këtij viti, Raiffeisen Bank ka dhuruar pajisje për repartet e gjinekologjisë të 6 Spitaleve të Përgjithshme në Kosovë (Spitalin e Pejës; Spitalin e Gjakovës; Spitalin e Ferizajt; Spitalin e Gjilanit; Spitalin e Prizrenit dhe Spitalin e Mitrovicës).

Pajisjet e dhuruara janë: CTG, shtretër të lindjes dhe shtretër për foshnja.

Në total donacioni kap shumën e 50 000 eurove.

Para dy viteve, ndërkaq, Raiffeisen Bank ka dhuruar donacion në QKUK në vlerë prej 100 000 euro, gjithashtu për Klinikën e Gjinekologjisë.

Drejtori ekzekutiv i kësaj banke tha se përkrahja për sektorin e shëndetësisë do të vazhdojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme