Në kuadër të konsolidimit të Forumeve të Aleancës Kosova e Re (AKR) nëpër degë, sot është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Forumit të Gruas në Malishevë .
Këtë Kuvend kishin ardhur ta ndjekin qindra gra të cilat shprehën interesimin të dukshëm për të qenë pjesë e strukturave të Aleancës Kosova e Re.
Punimet e Kuvendit i hapi koordinatori i degës së Malishevës, Besnik Berisha, i cili i falënderoi gratë për pjesëmarrje dhe tha se së bashku me presidentin Behgjet Pacoli, AKR-ja do të sigurojë mirëqenie për qytetarët e Malishevës dhe Kosovës.
Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, me shumicë votash, kryetare e Forumit të Gruas në degën e AKR-së në Malishevë u zgjedh Liridona Rama.
Kryetarja e sapozgjedhur tha se AKR-ja është adresa e qëlluar për gratë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e vetmja adresë ku edhe gratë edhe të rinjtë kanë pozita vendimmarrëse. Ajo garantoi se së bashku me AKR-në dhe presidentin Behgjet Pacolli do të punojnë në përmirësimin e standardit jetësor në vend.
Kuvendin në emër të presidentit Pacolli e përshëndeti edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR, Vesel Makolli, i cili tha se me qeverisjen e AKR-së do të rritet pasuria e qytetarëve.
Ai tha se qysh në vitin e parë të qeverisjes do të ketë rritje ekonomike dyshifrore, do të zgjidhen më shumë se 450 000 lëndë të bllokuara në gjykata, si dhe do të sigurohet një mirëqenie për të gjithë qytetarët.
Ndërsa koordinatorja e Forumit të Gruas në AKR, Mirlindë Gashi, tha se AKR-ja ka për mision ndryshimin e gjendjes aktuale në vend. Ajo tha se Forumi i Gruas është një ndër shtyllat kryesore të partisë dhe se AKR-ja do të punojë pa ndalur për të mirën e qytetarëve.
Kuvendi më pas zgjodhi edhe strukturat tjera të udhëheqëse të Forumit të degës.