Rama: Në Shqipëri nuk ka asnjë kaos

Tiranë | 24 Shk 2019 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Interesi i mediave italiane për zhvillimet politike në Shqipëri ka qenë maksimal. Kryeministri Rama ka dhënë këtë fundjavë intervistën e tij të 5, për një të përditshme të shtetit fqinj, kësaj here për “Il Fatto Quotidiano”.

Rama përsërit se në Shqipëri nuk ka kaos, siç është transmetuar përmes pamjeve të protestës së 16 Shkurtit, por sipas tij është opozita ajo që po i fryn zjarrit.

“Nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë popullore. Nuk kanë dalë në shesh as jelekverdhët, as sindikatat, as studentët dhe as anarkistët, por opozita parlamentare që disa vite më parë u dërgua në shtëpi nga populli, pasi shkatërroi ekonominë dhe mbyti vendin në kënetën e korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë. Jo vetëm që e largoi, por pas katër vitesh i dha një humbje elektorale edhe më të rëndë. Dhe tani ja ku jemi, nuk duan që të përballen në zgjedhjet lokale të qershorit sepse i pret një tjetër humbje e qartë”.

Arsyet, Rama këmbëngul se janë tek Reforma në Drejtësi dhe zgjedhjet lokale që po afrojnë, e që sipas tij do t’i nxjerrin të humbur serish partitë opozitare. E këto janë arsyet sipas tij, përse e akuzojnë për korrupsion, si e vetmja mënyrë për t’i tërhequr njerëzit që i mbështesin në protesta.

“Çfarë tjetër mund të bëjnë në situatën e vështirë që gjenden? Njerëzit nuk u venë pas dhe i përndjek frika nga drejtësia”.

Si është e mundur që shumë kryebashkiakë të Partisë Socialiste, partia juaj, kanë pasur probleme me drejtësinë?

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne qeverisim në gati tre të katërtat e Shqipërisë në nivel lokal dhe ka pasur vetëm një kryebashkiak që është larguar sipas ligjit të ri mbi precedentët penale, një lloji ligji “Severino” shqiptar, por shumë më e ashpër. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi politik, por ajo që i kanë bërë vendit javën e fundit, duke eksportuar imazhe dhune mbi institucionet, është e pafalshme”.

Po kryebashkiakët socialistë, ata që rezultojnë të jetë ende nën hetim nga ana e magjistraturës, do të rikandidohen në Qershor?

“Aktualisht, asnjë prej kryebashkiakëve tanë nuk është nën hetim. Shihni se si mashtrimet dhe shpifjet bëjnë xhiron e botës?”

Kur pyetet për largimin e shqiptarëve drejt Gjermanisë, gazetarin italian e pyet për përsenë e lëvizjes së italianëve të Jugut drejt Veriut të vendit./tvklan.al/

Të ngjashme