Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka ftuar sërish protestuesit për dialog, duke theksuar se, pavarësisht pakënaqësive dhe problemeve, dhuna nuk mund të justifikohet.
Kjo është një tjetër ftesë e Ramës për dialog drejtuar protestuesve, në përpjekje për të nxitur komunikimin dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Në një deklarim të bërë mëngjesin e sotëm, ai tha se qytetarët mund të kenë shumë arsye për të protestuar, por sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut dhe jo përmes dhunës.
“Ka 1001 pakënaqësi, ka 1001 halle e 1001 probleme, mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye që justifikon dhunën”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se dialogu është rruga për të tejkaluar mosmarrëveshjet mes qytetarëve që ndajnë të njëjtin atdhe dhe kanë një synim të përbashkët për të ardhmen e vendit.
“Çdo arsye është një argument më shumë për dialog, për dialogun mes njerëzve që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzve që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzve që duan të njëjtën gjë në fund të fundit: si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë”, u shpreh kreu i Qeverisë shqiptare.