Rasti Dehari mund të zbardhet, duke mbajtur njërin sy te institucioni ku ka ndodhur, tjetrin te LVV-ja

Prishtinë | 25 Shk 2023 | 18:31 | Nga Milazim Krasniqi

Rasti tragjik i Astrit Deharit është punë vetëm e drejtësisë. Përdorimi i këtij rasti tragjik në politikë është i pamoralshëm. Nëse drejtësia nuk e zbardhë, i bie që ose është e paaftë, ose kukull në duart e politikës.

Pse? Sepse ky rast ka ndodhë në institucion shtetëror, ku ka mbikëqyrje të madhe. Është pothuajse e pamundur të mos gjenden fijet e dëshmive, që mund ta zbardhin rastin.

Në këtë kontekst, pyetja themelore mbetet: kush ka pasur interes që të mos flasë Astrit Dehari – Prokuroria apo LVV? Po të mendohet logjikisht, prokuroria ka pasur interes që i dyshuari të vazhdojë të flasë, ndërsa LVV ka pasur interes që rasti të devijohet, ose të mbyllet krejtësisht.

Sidoqoftë, hipoteza për vrasjen e tij më shumë mund ta rëndojë LVV, natyrisht pa e zvogëluar aspak pëgjegjësinë e institucionit shtetëror, ku ka ndodhë rasti tragjik. Ama përgjegjësitë eventuale të institucionit dhe të LVV-së nuk duhet të ndërkëmbehen, as nuk duhet ta fshehin njëra-tjetrën.

As humbja e mostrave të gjakut të të ndjerit nuk duhet ta ndalë procesin për zbardhjen e rastit.

Prokuroria e ka një detyrë të madhe: ta zbardhë gjithsesi rastin. Rastin mund ta zbardhë, vetëm duke mbajtur njërin sy te institucioni shtetëror, ku rasti tragjik ka ndodhë, tjetrin te partia LVV.

(Krahasimi i sotëm i të ndjerit Astrit Deharit me Nolin e me Demaçin nga ana e Albin Kurti është manipulim politik absurd, si një tentativë për të mjegulluar a fshehur diçka.)

Ndërsa në tërë këtë rrëmujë, prokuroria me të dy sytë duhet të shikojë tërë kohën edhe tek vetja. Në këtë pikë ku është çështja, përgjegjësia është e saj.

(Ky mund të jetë teksti që e kam shkruar më pa dëshirë ndonjëherë.)

Të ngjashme