Reagon Komuna e Drenasit: Parku në Kamenicë pastrohet rregullisht

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit, respektivisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, ndjen për obligim të sqaroj gjithë opinionin lidhur me parkun në Kamenicë të Drenasit.

Disa herë DSHPE përmes kontraktimit, ka bërë pastrimin e asaj pjese, duke larguar mbeturinat e krijuara nga qytetarët të cilët kishin hedhur ato, madje edhe ka vendosur në hyrje të vendit kontinjer për hedhjen e mbeturinave. Mirëpo edhe pse kanë qëndruar për më shumë se tre muaj, asnjë qytetarë nuk ka hedhur mbeturinat në ata kontejner dhe kompania “Pastrimi” ka larguar përkohësisht ata.

Për të mirëmbajtur atë pjesë, kërkohet edhe vetëdijesimi i qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në vendet e gjelbëruar, por të hidhen në kontinjer, pasi që sërish do të dërgohen nga DSHPE-ja dhe kompania “Pastrimi”.

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike është e përkushtuar në mirëmbajtjen e ambientit dhe si rezultat i kësaj ka fituar disa tri grante vetëm në dy vitet e fundit që kanë pas të bëjnë me ambientin.

Në vitin 2017 kanë qenë të regjistruar 137 deponi ilegale, ku 74 prej tyre janë eliminuar dhe si rezultat i kësaj ka përfituar grantin e performancës në vlerë prej 181 mijë euro.

Në vitin 2018, aksioni që është organizuar në gjithë vendin, kemi arritur prapë t’i largojmë deponitë që janë krijuar sërish në të njëjtin vend dhe gjithsej kanë qenë 94 deponi dhe kemi fituar grantin e performancës në vlerën prej 100 mijë euro.

Lidhur me largimin e deponive gjatë vitit 2018, Ministria e Planifikimit Hapësinor në mesin e 38 komunave, Drenasin e ka radhitur në vendin e tretë dhe ka ndarë grantin prej 171 mijë euro, ku i është dhuruar Komunës së Drenasit në fillim të vitit 2019.

Komuna e Drenasit është e përkushtuar në mbrojtjen e ambientit duke përfshirë edhe parkun në Kamenicë, por kërkohet nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e ambientit që na rrethon, ndërsa DSHPE-ja në bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi” do të vendos kontinjer në atë zonë dhe kërkohet nga qytetarët të shfrytëzojnë ato pika për hedhjen e mbeturinave.

Në kuadër të granteve ambientale që ka fituar Komuna e Drenasit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shpallur tenderin për rregullimin e parkut të Kamenicës dhe vlera e projektit është rreth 150 mijë euro, ku në kuadër të këtij projekti do të krijohen staza të çiklizmit, rregullimi i shëtitoreve, ndriçimi, trotuaret dhe kontinjer brenda parkut për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese.

Të ngjashme