Reagon Rama pas akuzave për lidhje me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së: Gjyq ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar sot pas akuzave nga opozita për lidhje me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal , i cili është arrestuar pasi akuzohet se ka marrë para nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe një përfaqësues i një oligarku rus.

Ish-kreu i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork po akuzohet se mund të ketë punuar me një oligark rus të sanksionuar nga SHBA pasi doli në pension, dhe fshehu qindra mijëra dollarë që mori nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare, ndërsa ishte zyrtar i lartë në byro, raporton CNN.

Rama u akuzuar drejtpërdrejtë nga Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar hetim të thelluar të kësaj çështjeje.

Ndërkohë, Rama ka shkuar në Twitter se arrestimi i zyrtarit të FDI-së nuk ka lidhje me atë.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, ka shkruar Rama.

“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur”, shtoi ai,

“Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, ka thënë në fund të postimit Rama.

Më herët sot, Berisha tha se në aferën e McGonigal është i përfshirë kreu i qeverisë Edi Rama, “dy lejtnantë kryesorë të kryeministrit, ish-zyrtari i lartë i qeverisë, aktualisht këshilltar Dorian Duçka dhe ish-oficer i policisë sekrete Agron Neza”.

Në anën tjetër, Alibeaj tha se akuza ndaj McGonigal “për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2007 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar.”

Charles McGonigal, që konsiderohet veteran i fushës së sigurisë dhe për 22 vite shërbeu në FBI derisa doli në pension në vitin 2018, u arrestua të shtunën në aeroportin ndërkombëtar John F. Kennedy, derisa po kthehej nga një udhëtim, transmeton Telegrafi.

Akuzat, të shpallura nga zyrat e avokatëve amerikanë në distriktin jugor të Nju Jorkut dhe Uashington DC, shënojnë një rënie dramatike për McGonigal.

Ai pritet të paraqitet në gjykatën federale në Manhatan. E avokati i tij tha se McGonigal do të deklarohet i pafajshëm për akuzat. Gjykimi i tij për akuzat e DC nuk është caktuar ende

Të ngjashme