Reshitaj mbledh kryetarët e komunave, ligjet për mbrojtjen e mjedisit s’po zbatohen

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 15:02 | Nga Besjana Bajarami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova ka ligje për mbrojtjen e mjedisit, por këto ligje nuk po gjejnë zbatueshmëri. Kështu u tha sot në një tryezë të organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) me kryetarë të komunave të Kosovës, me qëllim përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj, tha se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e të gjithëve dhe duhet të jetë prioritet i kryetarëve të komunave.

“Që prej marrjes së mandatit e kam parë të rëndësishme bashkëpunimin me komunat. Ajri, uji, toka, pyjet janë resurse pasuri shtetërore e vendit, prandaj përgjegjës jemi të gjithë. Është koha që mjedisin ta kemi prioritet të gjithë”.

“Kosova ka ligje, por zbatueshmëria e tyre nuk është e mjaftueshme. Jemi duke bashkëpunuar me organe përgjegjëse që këto ligje të zbatohen. Ne duhet t’i respektojmë përgjegjësitë që bien mbi secilin prej nesh. Besoj që kjo iniciative do të fillojë të japë rezultate konkrete”.

Ajo tregoi për disa projekte për trajtimin e ujërave të zeza që pritet të fillojnë, megjithëse me vonesë, sikur që është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në rajonin e Prizrenit dhe ai në rajonin e Pejës.

Ismaili: E domosdoshme komunikimi më i shpeshtë Qeveri-Komuna

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismaili, tha se është i domosdoshëm komunikimi i komunave me qeverinë nacionale.

“Duhet të ketë edhe takime tjera që kanë për qellim bashkëpunimin me komuna. Është domosdoshmëri komunikimi më i shpeshtë, dhe besoj që ky komunikim është rruga më e mirë e nxjerrjes së metodave adekuate për ruajtjen e resurseve”, tha ai.

“E dimë që për mbrojtjen e tokës është i rëndësishëm ligji që i rregullon çështjet mjedisore. Është sfiduese implementimi i planit. Është edhe mungesa e mirëkuptimit të mirëfilltë mes komunave dhe qeverisë. Unë mendoj që për ligjet kërkohet një koordinim më i mirë i ministrive dhe komunave”.

Sipas tij, Komunat, përkundër planifikimeve që bëjnë, kanë probleme me zonat bujqësore.

Ismaili, i cili është dhe kryetar i Shtimes, tha se me hartimin e hartave zonale do të thjeshtohej zgjidhja e problemeve.

“Problem tjetër është trajtimi i mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të zeza. Trajtimi i tyre pa impiante nuk është zgjidhje”, theksoi ai.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, po ashtu tha se duhet të ketë më tepër bashkëpunim dhe koordinim që fondet për mbrojtjen e mjedisit të shfrytëzohen.

Ai tregoi se Komuna e Pejës, këtë vit, do të realizojë, një projekt për trajtimin e ujërave të zeza, që kushton 23 milionë euro. “Ne kemi hartuar dy projekte për impiante të rinj; një për Drinin e Bardhë dhe një për Bogën. Duhet të bëhen bashkëpunime më të mëdha që fondet me shku në mbrojtjen e mjedisit, dhe jo diku tjetër”, tha ai.

Lladrovci: “Ferronikeli” vazhdon të jetë ndotës i madh

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se ndër ndotësit e mëdhenj të kësaj komune vazhdon të jetë fabrika e “Ferronikelit”, për çka kërkoi nga MMPH-ja dhe Qeveria të marrin masat e duhura.

“Kisha kërkuar nga ju që të dalin më shpesh dhe të matin ndotjen e mjedisit”, u shpreh ai.

Lladrovci tregoi se aktualisht Komuna është duke e implementuar projektin për rregullimin e shtratit të lumin “Drenica”, por ai është duke ecur ngadalë. “Po ashtu kemi përgatitur një projekt me Skenderajn, që të gjitha ujërat e zeza që vijnë nga kjo komunë, uji me kalu nëpër kolektorë”.

Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se komunat duhet të bashkëpunojmë me qeverinë nacionale në projekte të mëdha mjedisore, sepse ato nuk mund të përballohen vetëm nga buxheti i komunës.

“Problemet kryesore që komunat e Kosovës kanë, lidhen me ministrinë e juaj, siç janë mbeturinat, ujërat e zeza, ku na duhet shumë punë dhe investime, sepse nëse nuk kemi bashkëpunim, këto projekte janë shumë të kushtueshme”, tha Veliu.

Të ngjashme