Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull të gjerë gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar verdiktin që pritet të shpallet të mërkurën si një moment me rëndësi të madhe për Kosovën dhe rajonin.
Reuters raporton se prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantët e tjerë të UÇK-së, ndërsa të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe mbrojtja ka kërkuar pafajësinë e tyre.
Siç shkruan Reuters, në qytete të ndryshme të Kosovës janë vendosur ekrane të mëdha për numërimin mbrapsht deri në shpalljen e aktgjykimit, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë të shtunën në tubimin në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
Ky është artikulli i plotë nga Reuters:
Një gjykatë për krime lufte në Hagë do të shpallë të mërkurën aktgjykimin në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për akuzat që lidhen me luftën e viteve ’90, e cila u zhvillua për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Prokuroria ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për Thaçin, 58 vjeç, dhe tre ish-komandantët e tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Të katër të akuzuarit i kanë mohuar të gjitha akuzat, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Në qytete të ndryshme të Kosovës janë vendosur ekrane të mëdha ku shfaqet numërimi mbrapsht deri në shpalljen e aktgjykimit, e cila pritet të nisë në orën 10:00 në Hagë. Të shtunën, mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Procesi gjyqësor ka rikthyer në vëmendje kujtimet e luftërave të Ballkanit të viteve ’90, të cilat vazhdojnë të mbeten të ndjeshme në rajon. Gjykimi ka nxjerrë në pah edhe ndarjet e thella rreth çështjeve etnike që u shfaqën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Funerali i madh publik i javës së kaluar në Beograd për gjeneralin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili vdiq derisa po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, tregoi se qëndrimet ndaj luftërave të viteve ’90 mbeten ende të ndara.
Analistët politikë vlerësojnë se rezultati i procesit ndaj Thaçit mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me vendet perëndimore, veçanërisht me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara, si dhe mund të sjellë tensione të reja me Serbinë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Thaçi dhe ish-komandantët e tjerë akuzohen për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës gjatë dhe pas kryengritjes së viteve 1998-1999, e cila përfundimisht çoi në pavarësinë e Kosovës.
Prokuroria ka deklaruar se më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të dyshuar si bashkëpunëtorë me forcat serbe të sigurisë janë vrarë gjatë asaj që e ka përshkruar si përpjekje të dhunshme të UÇK-së për marrjen e pushtetit politik.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se akuzat janë të pabazuara dhe se procesi përbën një përpjekje për të rishkruar historinë. Avokatët kanë thënë se nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt Thaçin me krimet e pretenduara apo që dëshmojnë se ai ka pasur kontroll mbi komandantët e tjerë të UÇK-së.
Gjykatat Speciale të Kosovës, të përbëra nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, janë thellësisht të papëlqyera në Kosovë. Prishtina pranoi themelimin e tyre në vitin 2015, nën presionin ndërkombëtar, ndërsa gjykata trajton rastet e krimeve të luftës sipas ligjeve të Kosovës ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Për shkak të shqetësimeve për frikësimin e dëshmitarëve, shumë dëshmitarë të prokurorisë kanë dëshmuar në seanca të mbyllura, gjë që ka shtuar mosbesimin e një pjese të qytetarëve të Kosovës ndaj kësaj gjykate.
“Për ne, Hashim Thaçi është hero i Kosovës, luftëtar i lirisë. Ai duhet të kthehet në Kosovë”, ka thënë për Reuters Mentori Plakaj, banor i Prishtinës.
Thaçi ishte president i Kosovës nga viti 2016 deri më 2020, ndërsa më herët shërbeu si kryeministër nga viti 2008 deri më 2014.
“Verdikti është një ngjarje tektonike”, ka thënë Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Qendrën për Evropën të Këshillit Atlantik.
Sipas Maliqit, nëse Thaçi shpallet i pafajshëm dhe lirohet, kjo mund të ndryshojë balancën e fuqisë në politikën kosovare në favor të partisë së tij opozitare, e cila ka orientim pro-perëndimor, si dhe të rikthejë besimin në bashkëpunimin më të madh me Perëndimin për çështjet e sigurisë në rajon.
Ai ka thënë se politika në Kosovë është thellësisht e ndarë, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve me Perëndimin. Në rast të një aktgjykimi fajësues ndaj Thaçit, sipas tij, Kosova mund të largohet edhe më shumë nga Perëndimi, në një trend që ai e lidh me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
“Rezultati i aktgjykimit do të ketë gjithashtu ndikim të menjëhershëm në marrëdhëniet tashmë të tensionuara ndëretnike në Kosovë, pasi emocionet do të jenë të larta dhe forcat radikale, përfshirë aktorët e jashtëm, mund të kenë interes për të nxitur tensione”, ka thënë Maliqi.
Në planin afatgjatë, sipas tij, vendimi mund të ndikojë edhe në perspektivat për një paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, varësisht nga reagimi i Beogradit.
Megjithatë, edhe nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për akuzat për krime lufte, ai nuk do të lirohej domosdoshmërisht menjëherë. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej gjashtë vjetësh burgim ndaj tij në një rast tjetër, ku akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë dhe ndërhyrje te dëshmitarët. Edhe këto akuza Thaçi i mohon.